Pas takimeve me Kurtin dhe Vuçiqin, Lajçak: Do t’i vazhdojmë bisedimet së shpejti

Pas takimeve me Kurtin dhe Vuçiqin, Lajçak: Do t’i vazhdojmë bisedimet së shpejti

I dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se bashkë me katër diplomatë të tjerë ndërkombëtarë sot kanë qëndruar në Kosovë dhe Serbi për të diskutuar hapat drejt normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.

Lajçak ka thënë se pas takimeve të sotme me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, planifikon që së shpejti t’i vazhdojnë bisedimet.

“Së bashku me këshilltarët e politikës së jashtme të Gjermanisë, Francës, Italisë dhe atë amerikan – Escobar, kam udhëtuar sot në Kosovë dhe Serbi për të diskutuar hapat drejt normalizimit të marrëdhënieve të tyre, bazuar në ropozimin tonë”, ka shkruar Laçak në Twitter, transmeton Telegrafi.

“Kjo gjithashtu nënkupton zbatimin e plotë të të gjitha marrëveshjeve. Kam në plan të vazhdojmë bisedimet tona së shpejti”, ka shkruar ai.

Ndërsa, pas takimit me Kurtin, Lajçak tha se delegacioni i emisarëve ndërkombëtarë ka pritur më shumë mirëkuptim rreth mundësive që ofron propozimi i BE-së për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

“Është shumë herët për të bërë deklarata dramatike, sepse, siç e dini, ne jemi në mes të misionit tonë dhe do të vazhdojmë për në Beograd, kështu që nuk kam shumë çfarë të them. Por, dua të them se, megjithatë, në këtë pikë, ne kemi pritur që të kuptohen më mirë mundësitë që i ofron ky propozim. Shpresoj të mbërrijmë atje, te mirëkuptimi i plotë, si dhe shfrytëzimi i plotë i potencialit që ka ky propozim. Ne do të vazhdojmë të punojmë në këtë”, tha Lajçak.

Lajçak tha se Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja janë të përkushtuara për arritjen e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe këtë, sipas tij, e dëshmon prania e emisarëve të SHBA-së, Gjermanisë, Italisë dhe Francës në takime.

Në Beograd, pas takimit me Vuçqin Lajçak tha se “diskutimi ka qenë intensiv, i vështirë, por edhe i hapur”.

“Ndihemi të inkurajuar nga rezultati”, tha ai.

“Për ne, zbatimi në kohë i [Marrëveshjes për] Asociacionin e komunave me shumicë serbe është element kyç për stabilitet dhe jemi të bindur se plani që kemi paraqitur në shtator, dhe që diskutuam sot, është mënyra më e mirë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës dhe për integrimin e rajonit”, shtoi Lajçak.

Formimi i këtij i asociacioni në Kosovë është edhe çështja më e diskutueshme në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve.

Zyrtarët kosovarë, të cilët po përballen me trysninë ndërkombëtare për formimin e tij, thonë se ai nuk mund të jetë njëetnik.

Gjatë vizitës në Prishtinë dhe Beograd, Lajçak ishte i shoqëruar nga i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i dërguari i Francës, Emmanuel Bonne, i dërguari i Gjermanisë, Jens Plotner, dhe këshilltari i Qeverisë italiane, Francesco Talo.

 

MARKETING