Irani e mirëpret pranimin nga ana e SHBA-së të dëmeve në selinë e Flotës së Pestë në Bahrein
Irani sot mirëpriti pranimin nga një zyrtar i lartë i Marinës amerikane se sulmet iraniane kanë shkaktuar dëme të mëdha në selinë e Flotës së 5-të të Marinës së SHBA-së në Bahrein, transmeton Anadolu.
“Ne e vlerësojmë sinqeritetin e Sekretarit në detyrë të Marinës, Hung Cao”, tha ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi në platformën amerikane të mediave sociale X.
“Forcat tona të fuqishme të armatosura vërtet e kanë shkatërruar plotësisht selinë e Flotës së 5-të në Bahrein, si dhe baza të tjera që mbështesin agresionin amerikan”, tha ai.
“Populli amerikan meriton më mirë sesa të paguajë faturën për luftërat e Izraelit”, shtoi Araghchi.
Cao thuhet se ka pranuar se sulmet iraniane shkaktuan dëme të mëdha në objektet detare amerikane në Bahrein, sipas “The Epoch Times”.
“Forcat iraniane e kanë shkatërruar plotësisht Bahreinin”, citohet të ketë thënë Cao në një intervistë, në një pranim të rrallë në nivel të lartë të shkallës së dëmeve të pësuara nga Naval Support Activity Bahrain, selia e Flotës së 5-të amerikane.
Cao tha se dëmet në bazë ndikuan në operacionet që përfshinin aeroplanmbajtësen “USS Abraham Lincoln”, duke bërë që ekuipazhi të mos kishte “asnjë vend ku do të mund të ankorohej”.
Analizat e mëparshme të imazheve të marra nga burime të hapura dhe satelitët treguan dëme të konsiderueshme në objektet amerikane në Bahrein gjatë sulmeve iraniane në fillim të luftës.
Oficeri më i lartë uniformuar i Marinës, admirali Daryl Caudle tha në fillim të këtij muaji se shërbimi nuk do të kthehej në Naval Support Activity Bahrain së shpejti për shkak të dëmeve.

