Paniku i tërmetit në Stamboll – hoxha i Xhamisë së Fatihut, Hamdi Arslan jep shembullin më të mirë duke qetësuar xhematin

Gjatë tërmetit që goditi Stambollin, shumë qytetarë u kapën në vende të ndryshme dhe, të kapluar nga paniku, dolën me nxitim jashtë. Në Xhaminë historike të Fatihut, vaizi Hamdi Arslan u kap nga tërmeti teksa mbante një ligjëratë. Reagimi i tij gjatë lëkundjeve të forta që u ndjenë në xhami, ishte mbresëlënës dhe admirues me qetësinë e tij të shfaqur gjatë dridhjeve të tërmetit. Gjersa të tjerët ndiheshin të shqetësuar, Arslan u pa teksa vazhdonte me qetësi ligjëratën dhe lutej. Këto momente u filmuan dhe u shpërndanë në rrjete sociale.
Vaizi i Xhamisë së Fatihut flet për përjetimin e tërmetit: “Qetësia është e domosdoshme, edhe kur zemra dridhet”
Hamdi Arslan, ligjërues në Fakultetin e Shkencave Islame pranë Universitetit “Fatih Sultan Mehmet Vakıf”, tha se prej afro 30 vitesh mban çdo të mërkurë një ligjëratë para namazit të drekës në Xhaminë e Fatihut.
Në ligjëratën e kësaj jave, ai u ndal te mesazhi që Islami është një fe e ekuilibrit dhe e maturisë – ku nuk duhet të anashkalohet as bota e përkohshme për botën tjetër, e as anasjelltas; të dyjave u duhet dhënë e drejta e tyre.
“Pikërisht gjersa po flisja për këto çështje, xhamia filloi të lëkundej,” tha Arslan. “Pas kësaj, nisëm të shqiptonim tekbiret. Këto lutje janë pjesë e dhikrit që ka përcjellë Profeti ynë, paqja qoftë mbi të: ‘Allahu është më i madhi, ne e lartësojmë Atë mëngjes e mbrëmje. Ai është i pastër nga çdo e metë dhe i përkryer me cilësi hyjnore.’ Më pas bëmë edhe istigfar – kërkuam falje dhe lavdëruam Allahun me fjalë si: ‘E madhërojmë Allahun me aq sa ka krijesa, me peshën e Arshit të Tij, me sa mund të mbajnë ngjyrat e fjalëve të Tij.’ Këto fjalë më erdhën ndër mend në atë moment”, deklaroi vaizi i xhamisë së Fatihut.
Arslan e konsideroi tërmetin si një sprovë: “Të gjithë frikësohen, edhe ne frikësohemi. Xhamia tundej majtas-djathtas. Por duhej të qëndroja i palëkundur. Nuk duhej të bëja panik, sepse edhe xhemati më shihte. Në atë moment duhej t’u jepnim qetësi të gjithëve. Besoj se e arritëm këtë, falë Zotit. Dhe ato çaste të frikshme i kaluam me dhikër dhe lutje.”
Ai tregoi se pasi foli me qetësi nga minberi dhe qetësoi xhematin, askush nuk ra në panik: “Njerëzit nuk u panikosën, nuk u bë shkak për panik. Falë Zotit, gjithçka kaloi me qetësi, me maturi dhe me përmbajtje.”
Arslan gjithashtu shtoi se pamjet e momentit të tërmetit, të cilat u publikuan në rrjetet sociale, kanë marrë reagime pozitive nga publiku.