Osmani: Para 1 viti bota ishte këtu, sot shohim flamuj të djegur

Osmani: Para 1 viti bota ishte këtu, sot shohim flamuj të djegur

Ish-ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani ka komentuar ndodhitë e fundit me djegien e flamujve.

Osmani tha se 1 vit më parë një vit më parë, bota ishte në Shkup, ndërsa një vit më pas, shohim flamuj të djegur, flamuj të hequr nga policia, ndarje të thelluara dhe retorikë që i ngjason ditëve më të errëta të së kaluarës.

Më poshtë e keni reagimi e plotë të Osmanit:

Si degraduam deri këtu?

Sot, një vit më parë, bota ishte në Shkup. Kryeqyteti ynë priste ministrat e jashtëm të OSBE-së, në një ngjarje historike ku promovuam paqen, dialogun dhe bashkëpunimin si vlera që na definojnë si shoqëri. Ishim shembull për rajonin dhe më gjerë, duke treguar se Maqedonia e Veriut është një vend që di të ndërtojë ura dhe jo mure.

Sot, një vit më pas, shohim flamuj të djegur, flamuj të hequr nga policia, ndarje të thelluara dhe retorikë që i ngjason ditëve më të errëta të së kaluarës. Si degraduam deri këtu? Si arritëm që nga një shtet që promovon vlera demokratike dhe shumëetnike, të kthehemi në një vend ku provokimi dhe diskriminimi po bëhen normë?

Ky nuk është vetëm një reflektim i disa individëve. Ky është rezultat i një udhëheqjeje që nuk arrin të ruajë barazinë, drejtësinë dhe respektin për të gjithë qytetarët e këtij vendi. Ky është një dështim i institucioneve për të ndjekur parimet e shtetit ligjor dhe për të ndërtuar besim mes qytetarëve.

Shqiptarët kanë qenë gjithmonë shtyllë e stabilitetit dhe zhvillimit të këtij shteti. Por sot, përballë këtyre ngjarjeve, ndjejmë një fyerje ndaj dinjitetit tonë, një përpjekje për të na trajtuar si të huaj në tokën tonë. Dhe kjo nuk është vetëm një padrejtësi ndaj shqiptarëve, por një goditje ndaj vizionit për një Maqedoni të Veriut të barabartë dhe evropiane.

Është koha të reflektojmë dhe të veprojmë. Shqiptarët nuk do të bien pre e retorikës së ndasive. Ne do të qëndrojmë të fortë dhe të vendosur, duke kërkuar një shoqëri ku çdo qytetar të ndihet i respektuar dhe i barabartë. Por kjo kërkon lidership, vizion dhe guxim për të qëndruar mbi provokimet dhe për të orientuar vendin drejt vlerave të vërteta evropiane.

Një vit më parë, bota na shikonte me admirim. Sot, është koha të tregojmë që nuk do të lejojmë që urrejtja dhe diskriminimi të përcaktojnë të ardhmen tonë. Ne mund dhe duhet të rikthejmë frymën e dialogut, të barazisë dhe të respektit, sepse kjo është rruga e vetme drejt një të ardhmeje të përbashkët dhe të qëndrueshme.

Sot, ne e kemi detyrim të mos ndalemi. Jo vetëm për veten tonë, por për brezat që vijnë. Për një Maqedoni të Veriut që u përket të gjithëve

MARKETING