OKH “Merhamet” ndan mijëra libra falas në Çarshinë e Shkupit për nder të Ditës së Alfabetit
Organizata Humanitare Kulturore “Merhamet” ka përmbyllur me sukses aktivitetin dyditor “Libraria e Çarshisë”, gjatë të cilit më 21 dhe 22 nëntor u shpërndanë mijëra libra falas për qytetarët, në shenjë nderimi për Kongresin e Manastirit dhe Ditën e Alfabetit Shqip.
Përmes një njoftimi, nga OKH “Merhamet” bëjnë të ditur se aktiviteti u prit me interes të madh nga qytetarë të të gjitha moshave, përfshirë fëmijë, të rinj, prindër dhe të moshuar, të cilët patën mundësinë të përzgjedhin libra sipas dëshirës.
Nga organizata vlerësojnë se ky interes dëshmon se dashuria për librin dhe gjuhën shqipe vazhdon të jetë e gjallë.
Një falënderim i veçantë u është drejtuar aktivistëve dhe vullnetarëve, të cilët kontribuuan gjatë të dy ditëve, si dhe shtëpive botuese, librarive, shoqatave dhe organizatave që mbështetën këtë nismë.
Në mesin e donatorëve të librave ishin Logos-A, Shtëpia Botuese Shkupi, Shtëpia Botuese “Frymëzimi”, Fondacioni ALSAR dhe Libraria Sira, ndërsa mbështetje dhanë edhe Vizioni-M, Klubi Elita, Shoqata Edukative “Parimi”, Unioni Studentor Shqiptar dhe shtypshkronja Focusprint.
“Para 118 vjetësh, në Manastir u vendos alfabeti ynë. Sot, me çdo libër që shkoi në një shtëpi, përpiqemi ta vazhdojmë atë amanet”, thuhet në mesazhin e OKH “Merhamet”, e cila paralajmëron edhe aktivitete të tjera në të ardhmen.

