OKB-ja dënon kërcënimin “e egër” të Izraelit për të dëbuar banorët e Gazës për shkak të fluturimit të balonave
Zyra e OKB-së për të Drejtat e Njeriut e përshkroi të martën si “të egër” një kërcënim izraelit për të dëbuar palestinezët nga zonat e Rripit të Gazës të rrethuar, në të cilat fëmijët fluturonin balona, transmeton Anadolu.
“Për kërcënimin e dëbimit për shkak të fluturimit të balonave të fëmijëve, shpresoj se të gjithë mund të pajtohemi se kjo është e egër,” tha zëdhënësja e zyrës së të drejtave Ravina Shamdasani në një konferencë javore për shtyp.
Shamdasani tha se paralajmërimi izraelit ishte vetëm i fundit në një seri kërcënimesh.
“Ne vazhdojmë të shohim retorikë të papranueshme që vijnë nga niveli më i lartë i autoriteteve izraelite, duke treguar përbuzje të plotë për të drejtat ndërkombëtare të njeriut dhe ligjin humanitar, dhe duke mbrojtur dhe nxitur dhunën që përbën krime mizori,” tha ajo.
Shamdasani trajtoi gjithashtu situatën e tmerrshme humanitare në Rripin e Gazës, duke thënë se palestinezët vazhdojnë të përballen me shkeljet izraelite pavarësisht një armëpushimi që në dukje hyri në fuqi tetorin e kaluar.
“Pavarësisht të ashtuquajturës armëpushim, palestinezët po bombardohen, qëllohen dhe vriten çdo ditë në Gaza”, tha ajo.
“Shkeljet, vuajtjet dhe mjerimi që po u shkaktohen palestinezëve në Gaza nuk mund të injorohen”, shtoi ajo.
Shamdasani vazhdoi duke u kërkuar vendeve të treta që të bëjnë presion për zbatimin e plotë të armëpushimit, përfundimin e të gjitha shkeljeve të armëpushimit, llogaridhënies dhe drejtësisë.

