OBSH për tërmetet në Turqi: Jemi dëshmitarë të fatkeqësisë më të keqe natyrore në 100 vitet e fundit

OBSH për tërmetet në Turqi: Jemi dëshmitarë të fatkeqësisë më të keqe natyrore në 100 vitet e fundit

Drejtori i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për Evropën, Hans Kluge, duke folur për tërmetet në Türkiye-n jugore dhe në Siri, tha se jemi dëshmitarë të fatkeqësisë më të keqe natyrore në 100 vitet e fundit, raporton Anadolu.

Duke shprehur ngushëllime për ata që humbën jetën në Türkiye dhe Siri, Kluge theksoi se është përjetuar një dhimbje e madhe dhe e thellë dhe se OBSH-ja ndodhet pranë të gjithë atyre që kanë nevojë për ndihmë.

Ai theksoi se deri më tani në Türkiye kanë humbur jetën rreth 32 mijë persona dhe rreth 100 mijë të tjerë janë plagosur për shkak të tërmeteve.

“Ndërsa në Siri kanë humbur jetën rreth 5 mijë persona”, tha Kluge i cili shtoi se pritet rritja e këtyre shifrave dhe se në Türkiye dhe Siri kanë nevojë për ndihmë humanitare rreth 26 milionë njerëz.

Kluge tha se mbështesin përpjekjen e dhënë bashkë me shumë partnerë për të shpëtuar jetë, për të trajtuar të plagosurit dhe kryesisht për të mos pasur mungesë në sistemin shëndetësor parësor.

“Në Türkiye rreth një milion njerëz kanë humbur shtëpinë e tyre dhe jetojnë në strehimore të përkohshme”, deklaroi Kluge i cili vuri në dukje se ndodhen pranë Ministrisë së Shëndetësisë së Türkiye-s dhe ministrit të Shëndetësisë, Fahrettin Koca i cili u ka thënë atyre se materialet kritike të vaksinave janë dërguar në rajon dhe se farmacitë e lëvizshme janë vendosur në funksion në rajon.

“Nuk dihet ende kostoja e vërtetë e kësaj”

OBSH-ja ka filluar thirrjen e saj për ndihmë në vlerë prej 43 milionë dollarë për të ndihmuar të prekurit nga tërmeti në Türkiye dhe Siri. Kluge tha se pritet të dyfishohet kjo shifër pas një vlerësimi më të mirë të kësaj situate në një kohë të shpejtë.

“Tani është koha që komuniteti ndërkombëtar të tregojë ndaj Türkiye-s të njëjtën bujari që Türkiye ka treguar prej vitesh ndaj kombeve të tjera. Türkiye strehon popullatën më të madhe të refugjatëve në botë, shumica e të cilëve kryesisht nga Siria”, tha Kluge.

“Jemi dëshmitarë të fatkeqësisë më të keqe natyrore të shekullit në rajonin evropian të OBSH-së. Rimëkëmbja dhe shërimi do të kërkojnë kohë dhe përpjekje. Por, mund t’ju siguroj se OBSH do të qëndrojë e palëkundur, me popullin e Turkiye-s dhe Sirisë, për aq kohë sa të duhet”, tha Kluge.

MARKETING