(VIDEO) Alta Banka kushton 22 milionë euro, ankandi shpallet më 30 nëntor
Pas problemeve financiare dhe vendosjes nën administrim të përkohshëm, ALTA Banka -Manastir po përgatitet të ndërrojë pronar. Banka Popullore e Maqedonisë së Veriut ka shpallur procedurën për shitjen e paketës dominuese të aksioneve, e cila përbën 95,336 për qind të kapitalit të bankës. Bëhet fjalë për gjithsej 372.742 aksione, aktualisht në pronësi të Alta Bankës së Beogradit, e cila ndodhet në procedurë falimentimi.
Vlera fillestare e paketës së aksioneve është rreth 1,4 miliardë denarë, ndërsa çmimi fillestar është caktuar në 3.777 denarë për aksion. Pikërisht me këtë çmim, vitin e kaluar, banka serbe bleu shumicën e aksioneve të atëhershme të Stopanska Bankës – Manastir, të cilën më pas e riemëroi në ALTA Banka.
Ankandi i parë publik do të mbahet më 30 nëntor, përmes Bursës së Maqedonisë. Nëse shitja dështon, ankandet e radhës janë paraparë për 1, 2, 3, 4 dhe 7 dhjetor. Në secilin ankand pasues, çmimi fillestar do të ulet për 10 për qind krahasuar me ankandin paraprak.
Investitorët e interesuar duhet që, më së voni deri më 19 nëntor 2026, të dorëzojnë në Bankën Popullore kërkesë për marrjen e pëlqimit paraprak për fitimin e pjesëmarrjes së kualifikuar në bankë, si dhe një deklaratë me shkrim se do t’i paguajnë mjetet e nevojshme për blerjen e aksioneve. Në ankande do të mund të marrin pjesë personat që i plotësojnë kushtet ligjore.
Banka Popullore ka njoftuar pronarin serb se duhet t’i nxjerrë aksionet në shitje, ndërsa në rast se kjo nuk ndodh, procedurën do ta realizojë vetë institucioni rregullator. Edhe pse ka interesim nga investitorë potencialë për blerjen e bankës, deri më tani nuk ka oferta zyrtare.
Deri në përfundimin e procesit të shitjes dhe gjetjen e pronarit të ri, ALTA Banka do të vazhdojë të funksionojë nën administrimin e përkohshëm të Bankës Popullore.
Kujtojmë se Alta Banka e Beogradit bleu Stopanska Bankën – Manastir vitin e kaluar për rreth 22,8 milionë euro. Për një aksion kishte ofruar 3.777 denarë, duke siguruar gjithsej 344.420 aksione, apo 88,09 për qind të numrit të përgjithshëm. Oferta ishte pranuar nga 262 aksionarë.
Ndërkohë, rezultatet financiare të bankës në Manastir nuk janë pozitive. Gjatë nëntë muajve të parë të këtij viti, ajo ka punuar me humbje. Interesim për blerjen e Stopanska Bankës –Manastir kishte shfaqur edhe Komercijalna Banka e Shkupit, por oferta e saj prej 3.200 denarësh për aksion nuk ishte pranuar.
/SHENJA/

