Nesër luhen të gjitha takimet e xhiros së 31-të në LPFMV

Shkupi – Shkëndija do të jetë derbi i xhiros së 31-të që do të zhvillohet këtë të dielë kuadër të Ligës së Parë të futbollit të Maqedonisë së Veriut. Kur kanë mbetur tre xhirot e fundit për tu zhvilluar dhe kur tre ekipet e para ende janë në lojë për titullin e kampionit, e gjithë vëmendja do të përqëndrohet në Çair, aty ku Shkëndija e vendit të dytë dhe Shkupi që është në tretin, do të përballen ndërmjet veti. Të dyja ekipet në këtë derbi vijnë pas triumfeve në xhiron e fundit, me Shkupin që mundi Sileksin në Kratovë, ndërsa kuqezinjtë mposhtën Makedonija Gjorçe Petrovin.  Ndërkohë, Struga Trim Lum që është lidere e renditjes në këtë xhiro do të përballet me Sileksin, por me një sy do të jetë edhe në Çair. Struganët e udhëhequr nga Shpëtim Duro nëse arrijnë të fitojnë ndaj skuadrës nga Kratova dhe nëse në Çair, Shkupi fiton ose barazon me Shkëndijën, atëherë Struga Trim Lum do të sigurojë matematikisht titullin e kampionit, dy xhiro para fundit. Në ndeshjet tjera, Rabotniçki do të pret Bregallnicën, Akademia Pandevi takohet me Tikveshin, përderisa Makedonija Gjorçe Petrovi do të përballet me Pobedën. Të gjitha takimet e kësaj xhiroje do të zhvillohen të dielën, duke nisur nga ora 17:00.

MARKETING