Digjen makineritë e ndërtimit të stadiumit të Shkëndijës në Haraçinë, Beqiri: Projekti nuk ndalet
Makineritë që po përdoren për ndërtimin e stadiumit të Shkëndijës në Haraçinë janë djegur, njoftoi kryetari i Komunës së Haraçinës, Daut Beqiri.
Beqiri bëri të ditur se rasti është duke u hetuar nga organet e rendit dhe kërkoi që përgjegjësit të zbulohen dhe të përballen me drejtësinë.
Ai theksoi se incidenti nuk do ta ndalë realizimin e projektit dhe se punimet për ndërtimin e stadiumit do të vazhdojnë deri në përfundimin e tij.
“Djegia e makinerive që po punojnë në ndërtimin e stadiumit të Shkëndijës është një goditje ndaj një projekti që i shërben sportit, rinisë dhe zhvillimit të Haraçinës. Organet e rendit po hetojnë rastin dhe bëjmë thirrje që rasti të zbardhet sa më shpejt dhe përgjegjësit të dalin para drejtësisë”, ka shkruar Beqiri.
Kryetari i Haraçinës tha se, pavarësisht incidentit, punimet do të vazhdojnë dhe projekti do të përfundojë.
“Por një gjë duhet të jetë e qartë: nuk na ndal askush. Punimet do të vazhdojnë. Projekti do të përfundojë. Stadiumi i Shkëndijës do të ndërtohet”, deklaroi ai.
Beqiri shtoi se Haraçina ka pritur prej dekadash për realizimin e këtij projekti dhe se incidenti nuk do të ndikojë në përkushtimin për ndërtimin e stadiumit.
“Nuk më frikësoni. Nuk ndalem përballë presionit, kërcënimeve apo pengesave. Unë do ta çoj këtë projekt deri në fund. Nuk ndalem derisa fëmijët e Haraçinës të shkelin në fushën e stadiumit të tyre. Stadiumi i Shkëndijës do të ndërtohet!”, ka shkruar Beqiri.

