Nëntë raste të dhunës në familje brenda një dite, policia arreston disa persona

Nëntë raste të dhunës në familje brenda një dite, policia arreston disa persona

Gjatë 12 korrikut, policia ka ndërhyrë në disa raste të ndara të dhunës në familje në qytete të ndryshme të vendit, ku janë arrestuar disa persona të dyshuar për sulme fizike, kërcënime dhe sjellje agresive ndaj anëtarëve të familjes.

Në një fshat të Vallandovës, është arrestuar një 26-vjeçar, i dyshuar se kishte sulmuar fizikisht babanë e tij 51-vjeçar. Rasti është raportuar te Prokuroria Themelore Publike në Gjevgjeli dhe pas dokumentimit të plotë do të ngrihet kallëzim përkatës.

Në Radovish, policia arrestoi një 18-vjeçar, i cili, sipas denoncimit, ishte sjellë në mënyrë agresive ndaj nënës së tij në shtëpinë familjare.

Në Shkup, në komunën e Gjorçe Petrovit, është privuar nga liria një 54-vjeçar, pasi dyshohet se me një send të mprehtë kishte kërcënuar bashkëshorten dhe dy fëmijët e tyre.

Në Ohër janë arrestuar dy persona, 59 dhe 62 vjeç, pas një konflikti verbal në shtëpinë e prindërve të tyre, ku njëri prej tyre dyshohet se ka sulmuar fizikisht anëtarët e familjes.

Në Shtip, policia arrestoi një 30-vjeçar pas denoncimit të të dashurës së tij 24-vjeçare, e cila deklaroi se ishte sulmuar fizikisht.

Ndërkohë, në Makedonski Brod është raportuar një rast ku një 45-vjeçar dyshohet se ka sulmuar fizikisht motrën e tij 50-vjeçare.

Në Manastir, dy persona kanë denoncuar se janë kërcënuar nga vëllai i njërit prej tyre, ndërsa policia po ndërmerr masa për zbardhjen e plotë të rastit.

Në Kavadar është arrestuar një 38-vjeçar, pasi babai i tij denoncoi se ai ishte sjellë në mënyrë agresive në shtëpi dhe kishte hedhur sende.

Një tjetër rast është raportuar në Kumanovë, ku një grua 55-vjeçare denoncoi se për një periudhë të gjatë ajo dhe fëmijët e saj kanë qenë viktima të dhunës fizike dhe psikologjike nga bashkëshorti i saj, i cili shpesh ishte nën ndikimin e alkoolit. I dyshuari është dërguar në Spitalin Psikiatrik në Demir Hisar, ndërsa ndaj tij do të ngrihet kallëzim penal.

Policia njofton se për të gjitha rastet, pas dokumentimit të plotë të ngjarjeve, do të parashtrohen kallëzimet përkatëse në përputhje me ligjin.

MARKETING