Në Ohër fillon takimi i liderëve të Procesit Bërdo-Brijuni
Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, priti në Ohër presidentët e vendeve pjesëmarrëse në Procesin Bërdo-Brijuni, raporton Anadolu.
Përveç Siljanovska-Davkovës si pritëse e takimit, si bashkëorganizatorë marrin pjesë presidentja e Sllovenisë, Natasha Pirc Musar dhe presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq.
Në takim marrin pjesë gjithashtu presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, kryesuesja e Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës (BeH), Zheljka Cvijanoviq si dhe anëtarët e Presidencës së BeH-së, Denis Beqiroviq dhe Darijana Filipoviq, ushtruesi i detyrës së presidentit të Serbisë, Aleksandar Çupiq dhe presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviq.
Në përfundim të takimit, presidentja Siljanovska-Davkova dhe presidentët Pirc Musar dhe Milanoviq do të mbajnë një konferencë të përbashkët për media.
Procesi Bërdo-Brijuni u nis për herë të parë me takimin e mbajtur në vitin 2013 në Bërdo, afër Kranjit, me iniciativë të përbashkët të presidentëve të Sllovenisë dhe Kroacisë.
Qëllimi kryesor i këtij procesi është integrimi i tërësishëm i vendeve të rajonit në Bashkimin Evropian (BE), stabilizimi i gjendjes në Ballkanin Perëndimor nëpërmjet përforcimit të bashkëpunimit rajonal dhe zgjidhjes së çështjeve të hapura.
Liderët e vendeve të Procesit Bërdo-Brijuni takohen të paktën njëherë në vit.
Takimi i sivjetshëm, i cili duhej të mbahej në maj, u anulua për shkak të mosmarrëveshjeve midis Serbisë dhe Kroacisë, ndërsa më pas organizimi i tij iu besua Maqedonisë së Veriut.

