Në Kosovë shënohet “Dita e Forcës”, qytetarët shohin nga afër kapacitetet e FSK-së
Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka hapur dyert në kazermat e saj për qytetarët të cilët dëshirojnë t’i shohin nga afër kapacitetet e ushtrisë, për të shënuar 27 Nëntorin – Ditën e Forcës, raporton Anadolu.
Ceremonia kryesore e Ditës së Forcës po mbahet në Kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë, nën organizimin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së.
Një pjesë e kapaciteteve të ushtrisë kosovare si tanke, armë të gjata dhe uniforma të ndryshme ushtarake u vunë në hapësirat e jashtme të kësaj kazerme në mënyrë që qytetarët t’i shohin nga afër.
Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, e cila ndodhet në Ohër, nëpërmjet një reagimi në rrjetet sociale, ka thënë se ushtria e Kosovës, e ndërtuar mbi sakrificën e popullit dhe luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, “dëshmon vendosmërinë për ta mbrojtur lirinë dhe shtetësinë e fituar me sakrificë”.
“Krah për krah me SHBA-në dhe aleatët e tjerë strategjikë, do të vazhdojmë ta ndërtojmë një forcë moderne, profesionale dhe të ndërveprueshme me ushtritë e vendeve të NATO-s, të gatshme për ta mbrojtur çdo pëllëmbë të territorit të Republikës dhe për të kontribuar në paqen dhe sigurinë ndërkombëtare”, shkroi Shiroka Pula.
Ajo tha se në këtë ditë kujtohet sakrifica e Komandantit Legjendar Adem Jashari, familjes Jashari dhe të gjithë dëshmorëve të kombit.
Qytetarët do të kenë mundësi të vizitojnë kazermat e FSK-së në Ferizaj, Gjakovë, Gjilan, Istog, Mitrovicë, Pomozotin, Prishtinë dhe Prizren, si dhe të njihen nga afër me aktivitetet, kapacitetet dhe pajisjet e kësaj force.

