Ndahet nga jeta Nuri Bajrami, gazetar dhe ish-nënkryetar i KSHPK-së
Në moshën 66-vjeçare ka ndërruar jetë Nuri Bajrami nga Gostivari, i njohur për kontributin e tij në gazetari, administratën publike dhe institucionet shtetërore.
Bajrami ishte ndër bashkëpunëtorët dhe punonjësit e parë të televizionit lokal TV2 në Gostivar, ku për afro një dekadë punoi si gazetar dhe kryeredaktor, duke lënë gjurmë në zhvillimin e medias lokale.
Me profesion jurist, ai ushtroi për shumë vite detyra në administratën e Komunës së Gostivarit, ndërsa më vonë u angazhua në Komisionin Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, ku mbajti funksionin e nënkryetarit. Gjatë mandatit të tij kontribuoi në përpjekjet për forcimin e integritetit institucional dhe luftën kundër korrupsionit.
Familja Bajrami ka njoftuar se ceremonia e varrimit do të zhvillohet sot në Gostivar, pas namazit të ikindisë.

