Mundësit nga Kosova shpëtojnë nga tërmeti në Turqi

Mundësit nga Kosova shpëtojnë nga tërmeti në Turqi

Ekipi kosovar i Federatës së Mundjes së Kosovës, që ndodhet në Türkiye, ka shpëtuar nga lëndimet pasi Türkiye u godit nga dy tërmete të fuqishme gjatë ditës së sotme, transmeton Anadolu.

Sekretari i përgjithshëm i Federatës së Mundjes të Kosovës (FMK), Genci Fazlija, në rrjetet sociale njoftoi se ekipi kosovar ishte pjesëmarrës në Turneun Ndërkombëtar “12 February” dhe ndodhej në një hotel në qytetin Kahramanmaraş të Türkiyes.

Në kohën kur ata duhej të niseshin për në Kosovë, ndodhi tërmeti me shkallë 7.7 ballë, ndërsa siç ka shkruar sekretari Fazlija mundësit kosovarë janë mirë me shëndet dhe për momentin janë vendosur në qytetin Kayseri.

“Falë Zotit te gjithë pjesëmarrësit i shpëtuan më te keqes nga tërmeti katastrofal”, ka shkruar Fazlija.

Ai tha se të gjitha objektet afër hotelit ku ishte i vendosur ekipi i FMK-së “janë rrafshuar për tokë”, derisa bëri të ditur se mundësit kosovarë u vunë në ndihmë të banorëve të tjerë.

“Mundësit tanë treguan heroizëm të pa parë duke ju ndihmuar njerëzve të mbetur nën gërmadha”, shtoi Fazlija.

Të paktën 1.498 persona humbën jetën dhe 8.533 të tjerë janë plagosur në dhjetë provinca turke pasi dy tërmete të fuqishme goditën pjesën jugore të vendit.

Herët në mëngjesin e sotëm, një tërmet i fuqishëm 7.7 ballë me qendër në rrethin Pazarcık tronditi qytetin Kahramanmaraş dhe preku rëndë disa provinca, përfshirë Gaziantep, Şanlıurfa, Diyarbakır, Adana, Adıyaman, Malatya, Osmaniye, Hatay dhe Kilis.

Një tërmet tjetër 7.6 ballë sërish pasdite goditi qytetin Kahramanmaraş dhe këtë herë ishte me qendër në rrethin Elbistan.

MARKETING