Mucunski: BE tregon gatishmëri për fleksibilitet për EES në Ballkanin Perëndimor
Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë, Timço Mucunski, deklaroi se ekziston gatishmëri nga disa shtete anëtare të Bashkimit Evropian që kufizohen me Ballkanin Perëndimor për të treguar fleksibilitet në zbatimin e Sistemit Evropian të Hyrjeve-Daljeve (EES).
Në një prononcim për “Lokalno”, ai bëri të ditur se po zhvillohen bisedime në nivel të lartë, si teknik ashtu edhe administrativ, me qëllim gjetjen e zgjidhjeve për periudhat me fluks të shtuar në kufij, veçanërisht gjatë verës.
Mucunski theksoi se kjo çështje kërkon qasje të përbashkët rajonale, pasi në pikat kufitare tokësore nuk është e mundur të ndahen qytetarët sipas shtetësisë në korsi të ndryshme.
Sipas tij, qytetarë nga vende të ndryshme, përfshirë shtetet anëtare të BE-së dhe ato jo-anëtare, kalojnë tranzit nëpër rajon, ndaj çdo zgjidhje duhet të arrihet në mënyrë kolektive.
Ai shtoi se deri më tani nuk ka vendime apo përgjigje zyrtare nga ana e BE-së, por theksoi se priten hapa konkretë në periudhën e verës, kur pritet rritje e ndjeshme e ngarkesës në kufij.

