MPJ i përgjigjet LSDM-së: Procesi me BE-në zhvillohet në mënyrë transparente
Ministria e Punëve të Jashtme ka hedhur poshtë akuzat e LSDM-së se Qeveria po përgatit pranimin e propozimit francez, duke i cilësuar këto pretendime si përpjekje për të krijuar pasiguri dhe për të dezinformuar opinionin publik.
Në reagimin e saj, MPJ thekson se pretendimet për një marrëveshje të fshehtë apo negociata të fshehta janë të pavërteta dhe i cilëson si “një tjetër konstruksion të plasuar në publik”.
Sipas Ministrisë, institucionet vazhdojnë komunikimin e rregullt me vendet anëtare të Bashkimit Evropian, institucionet evropiane, Bullgarinë dhe partnerë të tjerë ndërkombëtarë, ndërsa procesi zhvillohet në mënyrë transparente.
“Nuk ka lëshime sa i përket interesave kombëtare, identitetit, gjuhës dhe historisë. Anëtarësimi i plotë në Bashkimin Evropian mbetet përcaktim strategjik dhe qëllim përfundimtar i kësaj Qeverie”, thuhet në reagimin e MPJ-së.
Nga Ministria shtojnë se politika e jashtme aktuale udhëhiqet në mënyrë të përgjegjshme dhe parimore, në përputhje me interesat kombëtare, duke e akuzuar LSDM-në se përmes deklaratave publike synon të krijojë narrativa politike dhe të favorizojë qarqe të caktuara në rajon, në vend që të fokusohet në mbrojtjen e interesave shtetërore.

