MPB: 15 shoferë të arrestuar për drejtim pa patentë brenda 24 orëve
Gjatë 24 orëve të fundit, policia ka privuar nga liria 15 persona në mbarë vendin për drejtim të automjetit pa patentë shoferi, njoftoi Ministria e Punëve të Brendshme (MPB).
Sipas autoriteteve, mes të ndaluarve janë edhe tre të mitur, ndërsa dy prej shoferëve kanë qenë të përfshirë në aksidente rrugore.
Numri më i madh i rasteve është regjistruar në Tetovë, ku janë ndaluar pesë persona, prej të cilëve dy të mitur. Tre shoferë janë kapur në Shkup, dy në Prilep – mes tyre një i mitur – ndërsa nga një rast është evidentuar në Dellçevë, Shtip, Gjevgjeli, Zajas dhe Demir Hisar.
Nga MPB bëjnë të ditur se njëri prej të miturve në Tetovë dhe një shofer tjetër kanë qenë të përfshirë më herët në aksidente trafiku. Pas dokumentimit të plotë të rasteve, ndaj të gjithë personave do të ngrihen kallëzime penale përkatëse.
Policia u bën thirrje të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion që të respektojnë rregullat e trafikut dhe të mos drejtojnë automjete pa poseduar patentë shoferi.
“Mos drejtoni automjet nëse nuk e keni fituar të drejtën për drejtim, nëse ju është shqiptuar masë ndalimi ose nëse jeni nën ndikimin e alkoolit. Vetëm me respektim të rregullave mund të kontribuojmë për një komunikacion më të sigurt”, apelon MPB.

