Mlladiqi u varros me nderime, Kurti: Serbia ka kaluar në adhurim shtetëror të gjenocidit
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka kritikuar ashpër Serbinë për ceremoninë shtetërore të varrimit të ish-gjeneralit serb Ratko Mlladiq, i dënuar për krime lufte dhe përgjegjës për gjenocidin në Srebrenicë.
Kurti ka thënë se institucionet serbe i kanë bërë nderime të larta Mlladiqit, duke përmendur përdorimin e aeroplanit qeveritar, flamurit shtetëror, pjesëmarrjen e ushtrisë, ministrave, klerikëve dhe orkestrës.
“Serbia fundjavën e kaloi në përgatitje të asaj që bëri dje: nderime të larta shtetërore për kriminelin e luftës, gjeneralin serb, Ratko Mlladiq, fajtorin e gjenocidit në Srebrenicë të Bosnje e Hercegovinës ku u vranë 8.372 boshnjakë”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Ai ka theksuar se gjenocidi në Srebrenicë është i dokumentuar dhe i dëshmuar përmes varrezave masive, identifikimeve të viktimave dhe dëshmive të të mbijetuarve.
Sipas Kurtit, Mlladiqi ishte komandanti i forcave që kryen masakrën e Srebrenicës, ku në korrik të vitit 1995 u vranë mijëra boshnjakë, kryesisht burra dhe djem.
Kurti ka kritikuar edhe pjesëmarrjen e Patriarkut të Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije, në ceremoninë mortore, duke e cilësuar atë si pjesë të glorifikimit të figurës së Mlladiqit.
Në fund, Kurti ka dhënë një deklaratë të ashpër ndaj institucioneve serbe, duke thënë: “Serbia ka kaluar në adhurim shtetëror të gjenocidit”.

