Rusia dhe Ukraina shkëmbejnë akuza për sulme gjatë natës pas marrëveshjes për armëpushim lokal
Rusia dhe Ukraina kanë shkëmbyer akuza të shtunën lidhur me sulme gjatë natës, një ditë pasi konfirmuan një marrëveshje për armëpushim të kufizuar në qytetin Oleshky, nën kontrollin rus, në jug të Ukrainës, transmeton Anadolu.
Në kryeqytetin ukrainas, Kiev, administrata ushtarake e qytetit njoftoi në Telegram se dy persona janë plagosur pasi një sulm dëmtoi një ndërtesë banimi private në rrethin Obolonskyi.
Kryetari i Bashkisë së Harkivit, Ihor Terekhov, tha veçmas se një dron goditi rrethin Industrialnyi të qytetit të dytë më të madh të Ukrainës.
Terekhov tha se autoritetet po punojnë për të sqaruar hollësitë dhe për të vlerësuar pasojat e sulmit.
Forcat Ajrore të Ukrainës pretenduan se mbrojtja ajrore e vendit rrëzoi 101 nga 126 dronët e lëshuar nga Rusia gjatë natës.
Ministria ruse e Mbrojtjes tha se ka goditur një objekt që “përdoret për prodhimin e mjeteve detare pa ekuipazh” në portin e Çornomorskut, në rajonin jugor ukrainas të Odesës.
Ministria tha se kishte shënjestruar një anije mallrash të thata që “transportonte furnizime drejt portit të Odesës, të destinuara për mbështetjen e Forcave të Armatosura të Ukrainës”.
Ajo më tej tha se sistemet e mbrojtjes ajrore kanë rrëzuar 616 dronë ukrainas mbi 20 rajone, si dhe mbi Detin e Zi, Detin e Azovit dhe Krimenë, të cilën Moska e aneksoi në vitin 2014.
Në rajonin jugor rus të Rostovit, guvernatori Yury Slyusar tha se mbetjet e një droni të rrëzuar ranë në territorin e një objekti të kompanisë komunale të transportit publik në kryeqytetin rajonal, duke shkaktuar dëme, por pa viktima.
Slyusar tha gjithashtu se mbetjet e një droni kanë dëmtuar një nënstacion transformatorësh në vendbanimin Kalinin, duke lënë më shumë se 170 banesa pa energji elektrike.
Ai shtoi se po punohej për rikthimin e furnizimit me energji elektrike dhe se një person është plagosur nga sulmi.
Sulmet gjatë natës ndodhën pasi Rusia dhe Ukraina konfirmuan të premten se kishin rënë dakord për një armëpushim të përkohshëm në qytetin Oleshky, nën kontrollin rus, në rajonin jugor ukrainas të Hersonit, me ndërmjetësimin e zonjës së parë të SHBA-së, Melania Trump.
Moska dhe Kievi thanë se ndërprerja e luftimeve do të hynte në fuqi në orët e para të së martës, ndërsa një deklaratë e mëparshme e Shtëpisë së Bardhë kishte bërë të ditur se armëpushimi i kufizuar do të fillonte të enjten.

