Miratohet ndërtimi i pikës së re kufitare mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë

Miratohet ndërtimi i pikës së re kufitare mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë

Ndërtimi i pikës së re kufitare mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, Strumjani – Berovë (Klepalo), mund të nisë pasi të përfundojnë procedurat ekologjike të nevojshme në Ministrinë e Mjedisit dhe Burimeve Ujore të Bullgarisë, raportoi BNR.

Sipas kryetarit të komunës së Strumjanit, Emil Iliev, pjesa më e vështirë e procesit – miratimi i raporteve të ndikimit në mjedis – tashmë është përmbyllur më shpejt se sa pritej. Aktualisht po zhvillohet koordinimi i kërkesave për infrastrukturën e pikës kufitare, përfshirë doganën dhe kontrollin kufitar.

Iliev theksoi se paralelisht po bëhet harmonizimi mes institucioneve përkatëse, gjë që sipas tij mund të përshpejtojë zbatimin e projektit.

Gjithashtu, është miratuar edhe rruga prej 8 kilometrash që do të çojë deri në kufi, duke u përzgjedhur varianti më i shkurtër dhe më miqësor ndaj mjedisit. Projekti zbatohet nga vetëqeverisja lokale e rajonit të Bllagoevgradit dhe Agjencia e Infrastrukturës Rrugore, me një kosto prej rreth 5.5 milionë euro.

Sipas Iliev, ekziston besimi se pika e re kufitare do të jetë funksionale deri në fund të vitit 2029. Ai pranoi se ka shqetësime për përfundimin e projektit brenda periudhës së programit “Bullgaria – Maqedonia”, por theksoi se autoritetet lokale do të bëjnë përpjekje që ai të realizohet brenda afatit 2027–2029.

Nga ana tjetër, Administrata Doganore e Maqedonisë së Veriut ka nisur që në tetor 2024 aktivitetet për projektin e pikës kufitare Strumjani – Berovë, me një investim prej 3.7 milionë eurosh. Projekti financohet pjesërisht nga BE-ja përmes programit IPA 3, me 3.1 milionë euro grant, ndërsa pjesa tjetër prej rreth 551 mijë eurosh mbulohet nga bashkëfinancimi kombëtar.

Hapja e kësaj pike kufitare pritet të përmirësojë lidhjet rajonale, të lehtësojë qarkullimin e njerëzve dhe mallrave, si dhe të nxisë zhvillimin ekonomik dhe turizmin në rajonin e Maleshevisë.

MARKETING