Mickoski: Nuk do të lejojë manipulime me ndjenjat e shqiptarëve!
Kryeministri, Hristijan Mickoski, në seancën e sotme për pyetje deputetësh theksoi se askush në vend nuk është kundër përdorimit të gjuhës shqipe dhe se kjo qeveri nuk do të lejojë, siç u shpreh ai, që BDI të bëjë populizëm të vogël mbi tema etnike. Ai shtoi se të gjithë qytetarët vlerësohen njësoj, jo sipas përkatësisë etnike, duke theksuar se “kjo është një Maqedoni e re e projekteve dhe reformave”.
“Askush nuk është kundër përdorimit të gjuhëve në Maqedoni që i përdorin pjesë të popujve në territore të caktuara apo në gjithë territorin, në këtë rast gjuha shqipe, dhe askush nuk e ka kontestuar ndonjëherë këtë”, theksoi Mickoski, duke iu përgjigjur pyetjes së deputetit të BDI-së, Blerim Bexheti.
Mickoski shtoi se politika etnocentrike sjell vetëm rezultate negative dhe se duhet të fokusohet në politika që ndikojnë realisht në jetën e qytetarëve.
“Për 20 vite nuk keni bërë asgjë, para së gjithash për shqiptarët. Edhe ata janë të vetëdijshëm – duan jetë më të mirë, shëndetësi më cilësore, paga, pensione dhe arsim më të mirë. Nuk u duhen këto tema. Kjo qeveri nuk do të lejojë manipulime me ndjenjat e shqiptarëve. Njerëzit në shekullin XXI kanë arritur deri në Mars, ndërsa ju mendoni se me populizëm të vogël do të fitoni pikë politike – ajo kohë ka përfunduar. Kjo është një Maqedoni ndryshe, ku çdo qytetar kontribuon për të ardhmen, jo mbi baza etnike, por me më shumë projekte, politika dhe reforma”, theksoi kryeministri Mickoski.

