Mickoski, Jotovës: Disa shtete anëtare që ndihen rehat në kolltukët e tyre i kanë harruar vlerat e BE-së
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, i është përgjigjur presidentes bullgare Iliana Jotova, e cila i kërkoi të lexojë me kujdes politikën evropiane të zgjerimit.
“Faleminderit për këshillën. Kam kaluar shumë vite në BE në rininë time dhe vlerat e Konrad Adenauer dhe Robert Schuman janë shumë të qarta për mua”, tha Mickoski.
Ai shtoi se disa vende anëtare të BE-së, pasi u bënë pjesë e Unionit, i kanë harruar këto vlera.
Mickoski foli për këtë çështje gjatë hapjes së kopshtit të ri “8 Prilli” në Shuto Orizare, në prag të takimit mes ministrave të Jashtëm të Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë.
Jotova ndërkohë ka theksuar se çështja mes dy vendeve nuk duhet të paraqitet vetëm si problem dypalësh. Ajo ka kërkuar që Shkupi të respektojë parimet dhe politikën e BE-së në procesin e integrimit evropian.

