Mickoski: Gjuha amtare është e drejtë e secilit, por në Ligjin për Përfaqësim të Drejtë nuk kanë rëndësi përqindjet, por cilësia
Kryeministri i Hristijan Mickoski deklaroi se në Ligjin për Përfaqësim të Drejtë nuk do të jenë të rëndësishme përqindjet etnike, por cilësia, duke kërkuar mbështetje nga të gjithë deputetët në Kuvend.
Gjatë seancës për pyetje deputetësh, Mickoski theksoi se secili qytetar ka të drejtë ta përdorë gjuhën e tij amtare, por sipas tij, dikush po tenton të krijojë konflikt etnik aty ku nuk ekziston.
“Sa i përket provimit të jurisprudencës, nëse e lexoni ligjin do ta shihni se nuk është e përcaktuar me ligj në cilën gjuhë zhvillohet provimi, por këtë e rregullon ministri. Sa ministra të drejtësisë ka pasur koalicioni që ju e mbështesni dhe pse nuk e rregulluan këtë çështje?”, deklaroi Mickoski duke iu përgjigjur deputetit Skender Rexhepi.
Ai akuzoi opozitën për, siç u shpreh, “hipokrizi politike” dhe tentim për tensione ndëretnike.
“Kur jeni në opozitë bëheni patriotë të AliExpress-it, ndërsa në pushtet promovoni agjenda të gjelbra ekologjike”, tha Mickoski.
Kryeministri kritikoi edhe protestën lidhur me provimin e jurisprudencës, duke thënë se pjesëmarrësit nuk kishin vendosur flamurin shtetëror.
“Po jepni shembull të keq për ata që vijnë pas jush. Secili ka të drejtë ta përdorë gjuhën e tij amtare, këtë e kam thënë qartë edhe në Ditën e Shën Kirilit dhe Metodit”, u shpreh ai.
Mickoski shtoi se Komisioni i Venecias është një institucion shumë i rëndësishëm në procesin negociues evropian dhe kritikoi deklaratat që e minimizojnë rolin e tij.
Ai foli edhe për çështjen e maqedonasve në Bullgari dhe vendimet e pazbatuara të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
“Në vend që të mbështesim njëri-tjetrin si maqedonas dhe shqiptarë në shtetin tonë të përbashkët, humbim kohë me përçarje politike. Shteti ndërtohet kur mbështesim njëri-tjetrin”, deklaroi Mickoski.
Në fund, ai përsëriti se Ligji për Përfaqësim të Drejtë do të bazohet në meritë dhe jo në përqindje etnike.
“Nuk dua t’i shoh njerëzit përmes përqindjeve, por përmes cilësisë dhe një optike objektive”, potencoi kryeministri.

