Mexhiti: Para 20 vjetësh sollëm bustin e Skënderbeut, sot lehtësojmë kalimin e kufirit

Mexhiti: Para 20 vjetësh sollëm bustin e Skënderbeut, sot lehtësojmë kalimin e kufirit

Bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti, ka marrë pjesë sot në Qafë Thanë në përurimin e sistemit “One Stop Shop” mes Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, i cili synon të lehtësojë kalimin e qytetarëve në kufi. Në një postim, Mexhiti ka rikujtuar edhe përpjekjet e tij para 20 vjetësh për sjelljen e bustit të Skënderbeut në Shkup, duke e lidhur këtë ngjarje me ndryshimet në bashkëpunimin mes dy shteteve.

“Para njëzet vjetësh, isha në Qafë Thanë për ta sjellë në Shkup bustin e Skënderbeut. Sot jam përsëri këtu, për ta bërë më të lehtë kalimin e këtij kufiri.

Atëherë, autoritetet nuk kishin dhënë leje që busti i Skënderbeut të hynte në vend. Na u desh të këmbëngulnim që ta sillnim përmes Qafë Thanës dhe ta vendosnim në Shkup, në sheshin që sot mban emrin e tij.

Pra, ajo që atëherë dukej e pamundur, sot na duket krejt e natyrshme.

Prandaj kthimi im sot në këtë pikë kufitare ka një domethënie të veçantë. Bashkë me kryeministrat Hristijan Mickoski dhe Edi Rama, me zëvendëskryeministrin Bekim Sali dhe bashkëkryetarin e VLEN-it Bilall Kasami, po përurojmë sistemin “One Stop Shop”. Në të njëjtin vend ku dikur na duhej të këmbëngulnim që të kalonte busti i Skënderbeut, sot dy shtetet po zbatojnë një marrëveshje që ua lehtëson kalimin qytetarëve. Kontrollet kufitare do të kryhen në një vend të përbashkët, me një ndalesë të vetme.

Për mua, këto dy ditë, njëzet vjet larg njëra-tjetrës, tregojnë sa shumë ka ndryshuar mënyra si i zgjidhim çështjet që kanë rëndësi për qytetarët. Atëherë na duhej të përballeshim me pengesa edhe për ta vendosur një figurë të historisë sonë në një shesh të Shkupit. Sot ulemi në të njëjtën tryezë, marrim vendime të përbashkëta dhe i zbatojmë në paqe, dhe me respekt për të drejtat e secilit.

Me VLEN-in në qeverisje, pas Kosovës, po e shtrijmë këtë model edhe me Shqipërinë. Zbatimi nis sot në Qafë Thanë, ndërsa marrëveshja përfshin edhe Bllatën, Goricën, Tushemishtin dhe Xhepisht–Trebishtin. Përgjegjësia jonë është ta çojmë deri në fund këtë punë, që qytetarët ta ndiejnë ndryshimin sa herë që kalojnë kufirin.

Dhe po e nisim pikërisht më 22 nëntor, në Ditën e Alfabetit. Në Manastir, mbi një shekull më parë, shqiptarë nga vise të ndryshme u ulën bashkë dhe i dhanë shqipes një alfabet të përbashkët. Me të kemi mësuar të lexojmë e të shkruajmë në të dyja anët e këtij kufiri. Sot, po ua shkurtojmë pritjen në kufi njerëzve që e flasin atë gjuhë kur mbërrijnë te familja, te miqtë, te njerëzit e tyre. Për mua, kjo është mënyra më e mirë për ta shënuar këtë 22 Nëntor”, ka shkruar Mexhiti.

MARKETING