Përshkallëzim në Detin Baltik, sulmohet me dron anija e sanksionuar ruse “Sparta II”, shpërthen zjarr në bord

Përshkallëzim në Detin Baltik, sulmohet me dron anija e sanksionuar ruse “Sparta II”, shpërthen zjarr në bord

Një anije ruse mallrash është goditur nga një dron në ujërat ndërkombëtare të Gjirit të Finlandës, duke shkaktuar zjarr dhe shpërthime në bord. Ngjarja ka nxitur reagimin e kryeministrit finlandez, Petteri Orpo, i cili ka mbështetur të drejtën e Ukrainës për të goditur objektiva ruse.

Përmes një reagimi në platformën X, Orpo ka deklaruar se lufta po afrohet gjithnjë e më shumë pranë kufijve veriorë të Evropës, duke theksuar se Ukraina ka të drejtë të kundërpërgjigjet ndaj agresionit rus.

“Lufta po përhapet në afërsinë tonë të menjëhershme. Ukraina ka të drejtë të hakmerret kundër agresorit”, ka shkruar ai.

Sipas Ministrisë finlandeze të Mbrojtjes dhe Qendrës së Koordinimit të Shpëtimit Ajror dhe Detar të Policisë Estoneze dhe Rojës Kufitare, anija e goditur është identifikuar si “Sparta II”, e cila ishte nisur nga Shën Petersburgu.

Qendra estoneze e shpëtimit kishte marrë sinjalizimet e para që në orët e mëngjesit, për shpërthime dhe zjarr në bord, raportoi transmetuesi publik ERR.
Ndërkohë, Roja Bregdetare finlandeze ka bërë të ditur për agjencinë AFP se ende nuk ka informacione të konfirmuara për viktima apo persona të lënduar. Sipas saj, ekuipazhi nuk ka kërkuar evakuim dhe po tenton ta shuajë zjarrin.
“Ne kemi anijet tona në vendin e incidentit, gati për t’u evakuuar nëse është e nevojshme, por ajo që dimë për momentin është se ata nuk e kanë braktisur anijen dhe po ndjekin procedurat e tyre të shuarjes së zjarrit”, ka deklaruar një zyrtar i Rojës Bregdetare finlandeze.

Anija “Sparta II” është në vëmendjen e autoriteteve perëndimore të sigurisë, pasi figuron në listat e sanksioneve të Shteteve të Bashkuara dhe Ukrainës.

Sipas të dhënave të platformës OpenSanctions dhe inteligjencës ushtarake ukrainase, anija dyshohet se përdoret nga Moska për transportimin e armëve dhe pajisjeve ushtarake, përfshirë dërgesat nga Siria drejt Rusisë.

MARKETING