Mexhiti: Finalizohet asfaltimi i rrugës 157 në Gazi Babë, investim për kushte më të mira jetese

Mexhiti: Finalizohet asfaltimi i rrugës 157 në Gazi Babë, investim për kushte më të mira jetese

Në lagjen Gazi Babë po përmbyllet një projekt infrastrukturor që synon përmirësimin e kushteve të jetesës dhe lehtësimin e qarkullimit për banorët e zonës. Lajmin e bëri të ditur kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, duke theksuar se bëhet fjalë për një investim konkret që reflektohet drejtpërdrejt në përditshmërinë e qytetarëve.

Sipas tij, aktualisht po finalizohet asfaltimi i rrugës 157, në segmentin nga xhamia deri te shkallët në bulevard. Projekti përfshin rindërtimin e plotë të rrugës, duke përfshirë vendosjen e një rrjeti të ri të ujësjellësit, sistem funksional të kanalizimit atmosferik, ndriçim publik modern, asfalt cilësor dhe trotuare të rregulluara që rrisin sigurinë për këmbësorët.

Mexhiti theksoi se ky investim është realizuar me mbështetje të përbashkët institucionale, ku 2.8 milionë denarë janë siguruar nga Ministria e Mjedisit për rrjetin e ujësjellësit, ndërsa rreth 5.2 milionë denarë janë financuar nga Komuna për pjesën tjetër të projektit.

Ai e cilësoi këtë ndërhyrje si një shembull të punës konkrete dhe zhvillimit të vazhdueshëm në terren, duke shtuar se projekte të tilla do të vazhdojnë edhe në të ardhmen për të përmirësuar infrastrukturën dhe standardin e jetesës në zonat urbane.

MARKETING