Mediat italiane zbulojnë shkaqet e prishjes së Ancelottit me Gattuson
Carlo Ancelotti trajner dhe Gennaro Gattuso futbollist, u shpallën së bashku kampionë Europe me Milanin në 2003-shin dhe 2007-ën, dhe së bashku kishin marrëdhënie të shkëlqyera, por deri në 2019-ën.
Pikërisht në dhjetor të atij viti, Carlo Ancelotti u largua nga Napoli pas disa rezultatesh negative dhe në vendin e tij, në pankinë u ul Gennaro Gattuso, i cili qëndroi në atë pozicion deri në verën e 2021-shit.
Vetë Ancelotti deklaroi në prag të sfidës së Superkupës mes Realit dhe Valencias, se marrëdhëniet mes të dyve nuk janë më të shkëlqyera si në fillim, ndërsa mediat në Itali kanë hedhur dritë edhe mbi shkaqet e kësaj qejfmbetjeje.
Gjithçka ka nisur në kohën kur Gattuso mori drejtimin e Napolit dhe u ankua në jo pak raste, për një gjendje të dobët fizike të futbollistëve të stërvitur nga Ancelotti deri në dhjetor.
Pikërisht kjo sjellje nuk i ka pëlqyer trajnerit të suksesshëm italian, që prej asaj kohe vendosi të ndërpresë kontaktet me Gattuson dhe këtë herë në Superkupë, do të ketë një rast të mirë për t’i dhënë një tjetër leksion trajningu.