Media kineze: Një tanker nga Kina u godit dhe u përfshi nga flakët në Ngushticën e Hormuzit të hënën

Media kineze: Një tanker nga Kina u godit dhe u përfshi nga flakët në Ngushticën e Hormuzit të hënën

Një tanker kinez është sulmuar më 4 maj në Ngushticën e Hormuzit, raportoi sot media me bazë në Pekin “Caixin”, në incidentin e parë të tillë që nga fillimi i luftës SHBA-Izrael me Iranin, transmeton Anadolu.

Anija ishte një tanker i madh nafte në pronësi të një kompanie kineze të transportit detar, thuhet në lajm.

Ngjarja raportohet të ketë ndodhur pranë portit Al Jeer të Emirateve të Bashkuara Arabe dhe ka shkaktuar zjarr në kuvertën e anijes.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës, Lin Jian, tha të mërkurën para gazetarëve se Pekini do të vazhdojë të punojë për uljen e tensioneve në Ngushticën e Hormuzit dhe “të bëjë përpjekjet maksimale për të mbrojtur sigurinë e anijeve dhe ekuipazhit kinez”.

“Shpresojmë që palët përkatëse të veprojnë me maturi, të shmangin përshkallëzimin e mëtejshëm, të zgjidhin mosmarrëveshjet përmes dialogut dhe të rikthejnë paqen dhe stabilitetin në ngushticë sa më shpejt”, tha ai.

Më 28 shkurt, SHBA-ja dhe Izraeli nisën një luftë kundër Iranit, duke shkaktuar reagim të Teheranit në gjithë Lindjen e Mesme dhe goditje ndaj bazave dhe interesave amerikane.

Ngushtica e Hormuzit, një nga pikat më të rëndësishme detare në botë, ka përjetuar rënie të ndjeshme të trafikut tregtar për shkak të luftës, me shumë operatorë që devijojnë anijet ose shmangin Gjirin për shkak të shqetësimeve të sigurisë.

MARKETING