LSDM: Mickoski dhe Sllaveski mbajnë përgjegjësi për rastin e Bankës Alta
Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM) ka drejtuar akuza të rënda ndaj kryeministrit Hristijan Mickoski dhe guvernatorit të Bankës Popullore, Trajko Sllaveski, lidhur me rastin e Bankës Alta, duke i konsideruar ata përgjegjës për hyrjen e kësaj banke në tregun maqedonas dhe situatën e krijuar pas falimentimit të saj.
Nga LSDM pretendojnë se qytetarët kanë mbetur pa qasje në kursimet e tyre, ndërsa degët e bankës nuk funksionojnë dhe paraqiten pritje të gjata pranë bankomatëve.
Sipas kësaj partie, shumë qytetarë po përballen me vështirësi për të siguruar mjetet financiare për nevojat elementare, përfshirë ushqimin, pagesën e faturave dhe blerjen e ilaçeve.
“Qytetarët nuk mund të kenë qasje në paratë dhe kursimet e tyre. Nuk kanë mjete për ushqim, fatura, ilaçe dhe nevojat e përditshme. Degët nuk punojnë, ndërsa pranë bankomatëve ka pritje të gjata. Vetëm kompanive iu lejua të transferonin paratë lirisht”, deklarojnë nga LSDM.
Partia opozitare pretendon se Qeveria e Mickoskit ka krijuar kushtet për hyrjen e Bankës Alta në Maqedoninë e Veriut, ndërsa guvernatori Trajko Sllaveski ka dhënë pëlqimin për marrjen e Stopanska Bankës së Manastirit.
Nga LSDM theksojnë se, sipas tyre, kishin paralajmëruar për kapital të dyshimtë që 11 muaj më parë, por akuzojnë Sllaveskin se atëherë kishte siguruar se gjithçka ishte në rregull.
“Slaveski siguroi se gjithçka ishte në rregull dhe se nuk kishte asgjë të dyshimtë. Tani po merr vendime të gabuara, në dëm të qytetarëve”, thuhet në reagimin e LSDM-së.
Duke e cilësuar rastin si një aferë serioze financiare, LSDM shkon edhe më tej me akuzat, duke pretenduar se Banka Alta ishte pjesë e një operacioni për pastrim parash, të cilin e lidh me strukturat politike në Serbi dhe në Maqedoninë e Veriut.
Në fund, partia kërkon përgjegjësi politike dhe institucionale për rastin, duke kërkuar dorëheqjen e guvernatorit Trajko Sllaveski dhe hapjen e një hetimi nga Prokuroria Publike.
“Duhet të ketë përgjegjësi për këtë skandal dhe për këtë aferë financiare. Trajko Sllaveski duhet të japë dorëheqje, për të parandaluar vendime të tjera të dëmshme. Prokuroria duhet të hapë hetim dhe të ndjekë penalisht Mickoskin, Sllaveskin dhe të gjithë personat e lidhur me Bankën Alta”, thuhet në reagimin e LSDM-së.

