Banka Popullore: Nga nesër në Manastir nis tërheqja e mjeteve për klientët e ALTA Bankës pa kartela pagese

Banka Popullore: Nga nesër në Manastir nis tërheqja e mjeteve për klientët e ALTA Bankës pa kartela pagese

Banka Popullore njofton se nga e enjtja, 5 nëntor 2026, qytetarët që kanë llogari pagese në ALTA Banka AD Bitola, por nuk posedojnë kartela pagese, do të mund t’i tërheqin paratë drejtpërdrejt në sportelet e degës kryesore të bankës në Manastir.

MARKETING

Shik.mk

Për këtë qëllim, në degën e bankës, në rrugën “Dobrivoje Radosavljeviç” nr. 21, do të hapen disa sportele të posaçme për tërheqjen e mjeteve.

Nga Banka Popullore bëjnë të ditur se ky shërbim u dedikohet veçanërisht pensionistëve dhe përfituesve të ndihmës sociale, të cilët marrin të ardhurat përmes llogarive bankare, por nuk kanë kartela pagese. Shuma maksimale që mund të tërhiqet është 20.000 denarë, në përputhje me kufirin e lejuar për një periudhë dyjavore.

Sipas njoftimit, nga 6 nëntori, përfshirë edhe të shtunën, më 7 nëntor, dega do të punojë në dy ndërrime, me qëllim që t’u shërbejë sa më shumë klientëve.

Tërheqja e mjeteve do të organizohet sipas një orari të caktuar, për të cilin qytetarët do të njoftohen paraprakisht përmes SMS-ve, ku do të specifikohen dita dhe ora e paraqitjes në bankë.

Nga Banka Popullore u bëjnë thirrje qytetarëve që t’u përmbahen termineve të caktuara dhe të mos paraqiten në degë jashtë orarit të përcaktuar, në mënyrë që të shmangen grumbullimet dhe pritjet e gjata.

Për qytetarët që nuk do të kenë mundësi të paraqiten në terminin e caktuar, do të organizohen termine shtesë.

Ndërkohë, bëhet e ditur se sportelet e posaçme do të shërbejnë ekskluzivisht për tërheqjen e parave, ndërsa nuk do të kryhen shërbime apo transaksione të tjera bankare.

Banka Popullore njofton gjithashtu se janë duke u zhvilluar përgatitjet për hapjen e sporteleve të ngjashme për pensionistët dhe përfituesit e ndihmës sociale edhe në qytete të tjera të vendit, për të cilat publiku do të informohet me kohë.

MARKETING