Me Ahmetin nuk kam kontakt, e mbështes Mickoskin karshi Bullgarisë
Kreu i LSDM-së, Venko Filipçe thotë se si parti opozitare nuk ka kontakt me kreun e BDI-së Ali Ahmeti. Akuzat e VMRO-së për lidhje me Artan Grubin i quajti qesharake, ndërsa theksoi se koalicioni i LSDM-së me BDI-në në të kaluarën është “leksion i mësuar mirë”. “Nuk kam kontakt me kryetarin Ahmeti. Janë akuza qesharake që VMRO-DPMNE i vendos në llogarinë tonë, ata duhet të tregojnë se përse e lëshuan Artan Grubin të ikë përmes kufirit, nëse duan të ketë drejtësi. Ne qartë i tregojmë qëndrimet tona të tanishme rreth koalicionit të BDI-së, dhe themi se është leksion i mësuar mirë dhe se nga tani e tutje, koalicionet nuk do t’i bëjmë me çdo kusht, por në bazë të politikave të vlerave, që mund vetëm të na bashkojnë, e jo të na dëmtojnë, siç ishte me këtë koalicion deri tani”, deklaroi Filipçe, ndërsa ka folur edhe për eurointegrimet.
Filipçe thotë se tani ka Qeveri politike në Bullgari dhe se është në mbështetje të plotë të kryeministrit Hristijan Mickoski, i cili premtoi se do të sigurojë garanci shtesë dhe marrëveshje më të mirë se propozimi francez, për realizimin e ndryshimeve kushtetuese. Filipçe shton se qeveria duhet të nxitojë, pasi Shqipëria dhe Mali i Zi po ecin përpara drejt BE-së, me hapa të mëdhenj.
“Është legjitime që qeveria të kërkojë garanci shtesë. Një nga argumentet ishte që nuk ka qeveri politike në Sofje, ja tani ka. Absolutisht e mbështes kryeministrin që të kërkojë sa më shpejtë takim me qeverinë politike, përfaqësuesit, kryeministrin në Bullgari, që të pastrohet edhe ajo pjesë, të shohim a mund apo nuk mund të marrim ndonjë garanci shtesë. Do ta mbështesim, e përsëris çdo propozim më të mirë. Absolutisht! Çfarëdo forme të garancive shtesë. Megjithatë le të ndodhë sa më parë, sepse koha kalon, Shqipëria dhe Mali i Zi me hapa të mëdhenj shkojnë përpara”, tha Filipçe.