Manchester City i tregon forcën e kampionit Arsenalit dhe i merr kreun e Premier League

Manchester City i tregon forcën e kampionit Arsenalit dhe i merr kreun e Premier League

Manchester City mposht Arsenalin brenda në “Emirates Stadium” teksa miqtë fituan me shifrat 1-3.

“The Citizens” morën një triumf të vyer përballë rivalëve direkt për titull teksa pas këtij trepikëshi i barazojnë “Topçinjtë” në tabelën e klasifikimit, por iu heqin nga duart kryesimin e Premier League.
Sa i takon kronikës së ndeshjes, Arsenal e nisi me vrull madje në minutën e dytë ishte Granit Xhaka ai që dhuroi “shkëndijën” e parë, por goditja e mesfushorit me origjinë shqiptare përfundoi larg kuadratit të mbrojtur nga Ederson.
Kundërpërgjigja e “The Citizens” vjen me anë të Erling Haaland i cili merr një pasim nga Mahrez me norvegjezin që e kthen topin në qendër të zonës por aty nuk ishte asnjë nga shokët e tij për ta shtyrë sferën në rrjetë.

Ndërkohë, në minutën e 22-të rasti i artë iu paraqit Nketiah por sulmuesi gaboi nga fare pranë portës së Ederson teksa goditja e tij me kokë përfundoi jashtë.

Dy minuta më pas, City ndëshkoi topçinjtë teksa De Bruyne shfrytëzoi një pasim të gabuar nga ana e Tomiyasu dhe me një parabolë mposhti portierin Ramsdale.

Gjithsesi, reagimi i vendasve nuk vonoi dhe në të 39-tën Nketiah fitoi një penallti pas përplasjes me Ederson.

Nga pika e bardhë, Saka nuk gaboi duke barazuar shifrat në 1-1. Ndërkohë, në shtesën e pjesës së parë pati vend edhe për një tjetër rast të Cityt me Rodrin që u ndal nga traversa.

Gjithsesi, pjesa e parë u mbyll në rezultatin 1-1 ndërsa fraksioni i dytë nisi me një penallti të akorduar për miqtë pas një kontakti të Haaland me Gabriel.

U desh ndërhyrja e VAR për të anuluar 11-metërshin pasi norvegjezi ishte në pozicion jashtë loje.

Megjithatë, City e gjeti rrugën e avantazhit në minutën e 72-të pas një goli të Jack Grealish.

Arsenal u mundua reagonte, por në anën tjetër, të besuarit e trajnerit Pep Guardiola vendosën trepikëshin në kasafortë pas golit të Erling Haaland.

Sulmuesi shndërroi në gol një pasim të De Bruyne në minutën e 81-të teksa shkoi në kuotën e 26 realizimeve në vitin e tij të parë në Premier League.

Deri në fund, rezultati nuk ndryshoi me Cityn që fitoi përballjen direkte dhe merr gjithashtu vendin e parë nga duart e Arsenal teksa edhe pse në kuotë të barabartë pikësh, 51, “The Citizens” janë në kryesim prej faktit se kanë shënuar më shumë.

Ndërkohë, vlen të theksohet se aktualisht City ka një ndeshje më shumë se Arsenal teksa përballja e tyre e radhës në Premier League është paracaktuar të luhet më datë 26 prill.

MARKETING