“Lufta në Ukrainë i kushtoi 100 miliardë euro ekonomisë gjermane”

“Lufta në Ukrainë i kushtoi 100 miliardë euro ekonomisë gjermane”

Gjermania ka pësuar humbje ekonomike prej 100 miliardë eurosh vitin e kaluar për shkak të luftës Rusi-Ukrainë, sipas një eksperti të lartë, transmeton Anadolu.

“Lufta e Ukrainës dhe çmimet enorme të energjisë i kushtuan Gjermanisë rreth 100 miliardë euro ose 2,5 për qind të prodhimit ekonomik në vitin 2022”, tha Marcel Fratzscher, kreu i Institutit Gjerman për Kërkime Ekonomike.

“Gjermania është më e prekur ekonomikisht nga kjo krizë, për shkak se ishte më e varur nga furnizimet ruse me energji, ka një përqindje të lartë të industrisë intensive energjetike dhe është jashtëzakonisht e varur nga eksportet dhe zinxhirët e furnizimit global”, tha ai për të përditshmen gjermane Rheinische Post.

Fratzscher tha gjithashtu se kostoja e luftës në Ukrainë për Gjermaninë do të vazhdojë të rritet në vitet e ardhshme.

Çmimet e larta të energjisë do të mbeten një disavantazh i qartë konkurrues për vendin, tha ai, duke shtuar se Gjermania duhet të fokusohet në inovacione dhe produktivitet për të kompensuar këtë disavantazh.

Marrëdhëniet e Gjermanisë me Rusinë janë tensionuar për shkak të luftës në Ukrainë, ndërsa Berlini akuzon Moskën për krime lufte, duke ndërprerë bashkëpunimin dypalësh dhe duke vendosur sanksione të ashpra ekonomike.

Para fillimit të luftës në shkurt 2022, Rusia furnizonte Gjermaninë me afër 55 për qind të gazit natyror dhe 35 për qind të naftës së saj bruto.

Qeveria e koalicionit të kancelarit Olaf Scholz iu bashkua sanksioneve perëndimore kundër Moskës dhe gjithashtu njoftoi planet për t’i dhënë fund mbështetjes së vendit të tij për energjinë ruse.

Që nga shpërthimet në tubacionet nënujore “Rrjedha Veriore” në shtator, Gjermania nuk ka importuar më gaz nga Rusia.

MARKETING