LSDM: Rasti i helmimit në Gostivar zbuloi dështim institucional, duhet të ketë përgjegjësi penale

LSDM: Rasti i helmimit në Gostivar zbuloi dështim institucional, duhet të ketë përgjegjësi penale

Rasti i helmimit masiv në Gostivar ka krijuar një precedent të rrezikshëm dhe të papranueshëm, vlerësojnë nga LSDM, duke akuzuar Prokurorinë dhe institucionet kompetente për dështim në mbrojtjen e shëndetit publik.

MARKETING

Description of image

Sipas partisë, institucionet kanë vendosur procedurat burokratike dhe të ashtuquajturin “sekret të hetimit” mbi të drejtën kushtetuese të qytetarëve për një mjedis të sigurt dhe ujë të pijshëm të pastër.

“Ndotja e ujit ka nisur më 25 qershor. Në vend që të reagonin menjëherë, autoritetet shëndetësore dhe inspektuese heshtën për javë të tëra, duke lejuar qytetarët të konsumonin ujë të kontaminuar me fekale. Edhe më shqetësuese është se, megjithëse kishin dijeni për ndotjen, vetëm pak ditë para hapjes së hetimit institucionet e shpallën publikisht ujin si të sigurt për konsum”, thuhet në reagimin e LSDM-së.

Nga kjo parti theksojnë se hetimi nuk është iniciuar nga institucionet shëndetësore, por nga Prokuroria Themelore Publike, e cila ka vepruar mbi bazën e një informacioni të marrë.

“Kjo tregon një kolaps të plotë institucional. Megjithatë, edhe më problematike është sjellja e Prokurorisë, e cila është thirrur në ‘sekretin e hetimit’ për të mos ndërmarrë masa që do të mbronin shëndetin publik”, thuhet në reagim.

Sipas LSDM-së, cilësia e ujit të pijshëm nuk mund të konsiderohet sekret hetimor, pasi bëhet fjalë për informacion me interes të drejtpërdrejtë për shëndetin e qytetarëve.

“Shpallja e ndalimit të përdorimit të ujit për shkak të devijimeve mikrobiologjike nuk do ta kishte komprometuar hetimin. Në vend të kësaj, institucionet shëndetësore heshtën dhe lejuan përhapjen e epidemisë, e cila rezultoi me helmim masiv të mbi 3.100 personave”, theksojnë nga LSDM.

Partia kërkon përgjegjësi morale dhe penale për të gjithë ata që, sipas saj, kanë fshehur informacionin për cilësinë e ujit, kanë penguar zbardhjen e rastit ose nuk kanë ndërmarrë masa për të parandaluar ndotjen dhe për të mbrojtur shëndetin e banorëve të Gostivarit.

MARKETING