LSDM: Pesë javë pas krizës, qytetarët e Gostivarit ende pa ujë të sigurt për pije

LSDM: Pesë javë pas krizës, qytetarët e Gostivarit ende pa ujë të sigurt për pije

Kanë kaluar pesë javë nga kriza me ujin në Gostivar, ndërsa qytetarët ende nuk kanë një zgjidhje të qëndrueshme për furnizim me ujë të sigurt për pije, thonë nga LSDM.

MARKETING

Description of image

Nga partia opozitare pretendojnë se ende nuk ka një përgjegjës për situatën shëndetësore që, sipas tyre, preku rreth 5 mijë qytetarë.

LSDM kritikon edhe mënyrën e shpërndarjes së ujit të ambalazhuar, duke pretenduar se ai nuk është lehtësisht i qasshëm për banorët e zonave rurale që ndodhen larg pikave të shpërndarjes.

“Edhe shpërndarja e ujit të ambalazhuar nuk funksionon dhe nuk është e disponueshme për njerëzit që jetojnë në zonat rurale”, thuhet në reagimin e LSDM-së.

Partia akuzon Qeverinë, të udhëhequr nga kryeministri Hristijan Mickoski, për reagim të vonuar ndaj krizës dhe për minimizim të situatës në ditët e para.

“Qeveria e Mickoskit u fsheh dhe vonoi reagimin e saj. Ata gënjyen dhe u përpoqën ta minimizojnë problemin”, deklarojnë nga LSDM.

Nga partia opozitare thonë se mungesa e një zgjidhjeje konkrete për furnizimin me ujë të sigurt po ndikon më tej në besimin e qytetarëve ndaj institucioneve.

Deri në publikimin e këtij raportimi, pretendimet e LSDM-së për përgjegjësinë institucionale dhe funksionimin e shpërndarjes së ujit duhet të verifikohen nga institucionet kompetente.

MARKETING