LSDM akuzon Qeverinë për mungesë transparence në furnizimin me ujë për Gostivarin

LSDM akuzon Qeverinë për mungesë transparence në furnizimin me ujë për Gostivarin

LSDM ka akuzuar Qeverinë se, përmes Shërbimit për Punë të Përgjithshme dhe të Përbashkëta (SHÇP), ka lidhur një kontratë me vlerë rreth 100 mijë euro për furnizim me ujë të pijshëm, në kohën kur Gostivari po përballet me probleme në furnizimin me ujë.

MARKETING

Description of image

Sipas partisë opozitare, kontrata është realizuar përmes procedurës së negociatave të drejtpërdrejta, pa shpallje publike. LSDM pretendon se kontrata është lidhur me kompaninë “Kožuvčanka”, për të cilën thotë se është në pronësi të kryetarit të Komunës së Kavadarit, ndërsa procedurën, sipas tyre, e ka zhvilluar drejtori i SHÇP-së, Ivica Tomovski.

Në reagimin e saj, LSDM e akuzon Qeverinë për mungesë transparence, duke vlerësuar se, ndërkohë që qytetarët e Gostivarit po përballen me pasojat e ujit të ndotur, institucionet nuk po ndërmarrin masa adekuate dhe po lidhin kontrata pa procedurë të hapur publike.

Deri në publikimin e këtij lajmi, Qeveria dhe Shërbimi për Punë të Përgjithshme dhe të Përbashkëta nuk kanë reaguar ndaj akuzave të ngritura nga LSDM.

MARKETING