Logos-A pjesëmarrëse në panairin e librit në Shkup
Shtëpia botuese Logos-A do të jetë pjesëmarrëse në Edicionin e 38-të të Panairit të Librit, i cili do të zhvillohet në Shkup nga data 23 deri më 29 prill, në Sallën “Boris Trajkovski”. Ky panair përfaqëson një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore në vend, duke mbledhur çdo vit botues, autorë dhe lexues të shumtë, dhe duke krijuar një hapësirë të veçantë për prezantimin e librit dhe kulturës së leximit.
Logos-A do të marrë pjesë me një gamë të gjerë titujsh nga fusha të ndryshme, duke synuar që në çdo edicion të sjellë risi dhe botime të reja drejtpërdrejt para lexuesit. Në kuadër të përgatitjeve për panairin, shtëpia botuese ka përfshirë vepra që përfaqësojnë si dimensionin shkencor, ashtu edhe atë letrar, filozofik, religjioz dhe edukativ, duke synuar të plotësojë kërkesat e një publiku të larmishëm.
Në këtë panair, ndër titujt që do të prezantohen veçohen: “Ngritja dhe rënia e kombeve” nga Mancur Olson; veprat filozofike “Në kërkim të thelbit” dhe “Vizitë në Kasollen e Hajdegerit” nga mendimtari Ibrahim Kallën; “Ndryshimet klimatike dhe teoria politike” nga Catriona MacKinnon; libri mjaft tërheqës “Digjitalja: a mund të ketë libër?” etj.
Gjithashtu, në këtë panair do të jenë të pranishme edhe vepra të tjera me rëndësi të veçantë letrare, siç janë: romani “Udhëtimi për në Tajan” nga filozofi Ferid Muhiç; “Ndryshku i Kohës” nga shkrimtari Kim Mehmeti, si dhe vepra 19-vëllimëshe “Dyzet Net” nga fusha e studimeve islame me autor Metin Izeti.
Pa harruar që në saje të Panairit të sivjetmë nuk do të mungojë as kompleti tetëvëllimësh i “Sallnameve të Vilajetit të Kosovës” që mbulon periudhën e fundshekullit XIX në gjuhën shqipe dhe maqedonase. Në këtë mënyrë synojmë ta pasurojmë edhe më tej ofertën botuese të Logos-A.
Megjithëse interesi për librin nuk është gjithmonë në nivelin e dëshiruar për shkak të sfidave të kohës moderne dhe dominimit të medias vizuale, panaire të tilla mbeten thelbësore për promovimin e kulturës së leximit dhe afrimin e lexuesit me librin fizik.












