Lista Serbe kërcënon: Veriu i Kosovës është okupuar, ndaloni ose shfaqim rezistencën

Lista Serbe ka mbajtur konferencë për media pas betimit të kryetarit të ri të Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq. Nënkryetari Igor Simiq ka kërcënuar se serbët do të reagojnë me të gjitha mjetet nëse nuk ndalet ai që Simiq e quan “represion”.

Simiq ka shtuar se pas 1 qershorit serbët do të reagojnë.

“Populli nuk mund ta tolerojë regjimin e Albin Kurtit. Ne japim një afat deri në 1 qershor për të ndaluar represionin e popullit dhe sekuestrimin e tokave dhe shpronësimet e rreme, arrestimet dhe aktakuzat e rreme. Të ndalet persekutimi, sepse nëpër kazamatet në Kosovë dhe Metohi ka serbë të pafajshëm. Për të ndaluar mohimin e të drejtave themelore si trajtimi dhe arsimimi. Nëse këto veprime vazhdojnë, përgjigja e popullit serb do të vijë më 1 qershor, ne do të mbrohemi me të gjitha mjetet”, tha Simiq.

Simiq ka deklaruar se me betimin e kryetarit Atiq, filloi pushtimi i veriut.

“Në fillim duam të theksojmë se me përpjekjet e Serbisë dhe të gjithë popullit arritëm të ruanim paqen dhe ta pengojmë popullin të reagojë ndaj regjimit të Albin Kurtit dhe me këtë ngjarje zyrtarisht filloi pushtimi i veriut të Kosovës. Por ka një fillim dhe një fund. Do të përfundojë kur ta zgjidhin serbët. Theksoj se jemi të përkushtuar ndaj paqes. Paqja u ruajt me ftesë të Aleksandër Vuçiqit, veçanërisht për zgjedhjet. Fatkeqësisht, përveç Serbisë, Vuçiqit dhe popullit serb, nuk shohim se dikush dëshiron ta ruajë paqen. Megjithatë, durimit i ka ardhur fundi”, tha Simiq, raportuan mediat serbe.

I pyetur për vendosjen e flamurit të Kosovës në ndërtesën e komunës në veri të Mitrovicës, Simiq tha se nuk e kishte parë atë.
“Nuk e kam parë, por nëse keni ardhur këtu mund të shijoni pamjen e qindra flamujve serbë”, tha Simiq.

MARKETING