Rusia dhe Ukraina shkëmbejnë sulme me dronë pas negociatave në Abu Dhabi, të paktën 6 të vrarë
Të paktën gjashtë persona u vranë pasi Rusia dhe Ukraina shkëmbyen akuza për sulmet ajrore sot, pas përfundimit të bisedimeve dyditore të paqes mes dy vendeve, të ndërmjetësuara nga SHBA-ja në kryeqytetin e Emirateve të Bashkuara Arabe, Abu Dhabi, në fillim të kësaj jave, transmeton Anadolu.
Në Rusi, guvernatori i rajonit të Volgogradit, Andrey Bocharov shkroi në një postim në Telegram se mbetjet e dronëve ukrainas të rrëzuar ranë në një ndërmarrje në zonën industriale jugore të kryeqytetit rajonal dhe në zonat përreth, duke shkaktuar zjarre lokale.
Fillimisht ai raportoi se nuk kishte viktima apo dëme në ndërtesat e banimit, por më vonë njoftoi se katër persona u vranë dhe dy të tjerë u plagosën si pasojë e sulmit ukrainas gjatë natës. “Në vendbanimin Svetly Yar, janë dëmtuar xhamat e dritareve dhe ballkoneve në tri ndërtesa banimi pesëkatëshe dhe në një qendër rinore. Nuk ka viktima”, tha Bocharov.
Mes objekteve të dëmtuara nga sulmet ishin ndërtesa banimi, një objekt prodhimi dhe një depo.
Ndërkohë, kryetari i Bashkisë së Moskës, Sergey Sobyanin tha se gjithsej 467 dronë u rrëzuan nga ora 15:00 GMT të enjten deri në orën 05:00 të së premtes ndërsa drejtoheshin drejt rajonit të Moskës. Ai shtoi se 144 dronë u interceptuan teksa afroheshin drejt kryeqytetit.
Ministria ruse e Mbrojtjes pretendon se ka rrëzuar 1.198 dronë ukrainas në 17 rajone si dhe mbi Detin e Zi dhe Krimenë, të cilën Moska e aneksoi ilegalisht në vitin 2014.

