Libani dhe Izraeli dakordohen për “zona pilot” nën kontrollin e ushtrisë libaneze
Libani dhe Izraeli kanë rënë dakord të rinovojnë armëpushimin e brishtë mes tyre dhe të krijojnë “zona pilot”, ku Forcat e Armatosura Libaneze do të kenë kontroll ekskluziv territorial, pa praninë e aktorëve të tjerë joshtetërorë, sipas një deklarate të përbashkët të publikuar të mërkurën, transmeton Anadolu.
“Armëpushimi kushtëzohet nga ndërprerja e plotë e zjarrit nga Hezbollahu dhe tërheqja e të gjithë pjesëtarëve të Hezbollahut nga sektori jugor i lumit Litani”, thuhet në deklaratë, e cila u publikua pas raundit të katërt të bisedimeve të ndërmjetësuara nga SHBA-ja në Departamentin e Shtetit.
Të dyja palët ranë dakord që “të avancojnë me shpejtësi krijimin e zonave pilot, në të cilat Forcat e Armatosura Libaneze do të marrin kontroll ekskluziv të territorit, duke përjashtuar të gjithë aktorët joshtetërorë”, thuhet më tej në deklaratë.
“Këto hapa do të mundësojnë përparim drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për paqe dhe siguri”, shtohet në të. Palët gjithashtu ranë dakord të rifillojnë bisedimet politike dhe të sigurisë gjatë javës së 22 qershorit, me synimin për të arritur një marrëveshje të plotë.
Sipas burimeve libaneze që folën për Anadolu, dita e dytë dhe e fundit e negociatave në selinë e Departamentit amerikan të Shtetit zgjati më shumë se gjashtë orë.
Bisedimet e ndërmjetësuara nga SHBA-ja vijnë pas javësh sulmesh pothuajse të përditshme izraelite në Liban, të cilat kanë vrarë afro 3.500 persona që nga 2 marsi, pavarësisht armëpushimit që hyri në fuqi më 17 prill dhe më pas u zgjat deri në fillim të korrikut.
Konflikti së fundmi u përshkallëzua pasi kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu urdhëroi thellimin e inkursionit ushtarak dhe bëri thirrje për sulme ndaj Bejrutit.
Megjithatë, sipas raportimeve mediatike, Netanyahu u frenua pas një bisede të tensionuar telefonike me presidentin amerikan Donald Trump.

