Laportës ia ka fajin referi për barazimin me Getafen: Është e turpshme!
Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta është treguar kritik i ashpër ndaj referimit pas barazimit të së shtunës mbrëma me rezultat 1:1 ndaj Getafes në La Liga.
Vizitorët e kërkuan një penallti në pjesën e dytë kur Jules Kounde përfundoi në tokë pas një ndërhyrjeje të Uche, por ajo nuk u akordua.
Referi i ndeshjes, Gonzalez Fuertes zgjodhi të mos jepte penallti dhe as asistenti nga dhoma e VAR-it, Hernandez Maeso nuk ndërhyri në këtë rast, shkruan “Gazeta Express”.
Vendimi i mllefosi shumë tifozët, posaçërisht për faktin se Real Madridit i ishte dhënë një penallti e ngjashme kundër Getafes.
Laporta i ndau sot fjalët e rënda për referimin, duke u ankuar se katalunasit u dëmtuan në këtë raste.
“Referimi në Getafe ishte i turpshëm”, deklaroi fillimisht Laporta.
“Të mos e akordosh atë penallti në Koundé është një skandal. Mund ta riktheni rastin dhe ta shikoni disa herë, ishte një skandal i vërtetë”, përfundoi presidenti i gjigantit katalunas.
Kjo nuk është hera e parë që Barcelona mbetet e frustruar nga vendimet e referimit, ndërsa drejtuesit e klubit e kanë frikën e ky nuk do të jetë rasti i fundit që do t’ju ndodhë.
Ky barazim e largon edhe më shumë ekipin “Blaugrana” nga gara për titull të kampionit.
Aktualisht, Barça është e treta në tabelë me 39 pikë, shtatë më pak se lideri, Real Madrid dhe katër më pak se Atletico Madridi.