LAMM: Nuk ka vonesa në vendkalimet kufitare nga ana e RMV-së
Komunikacioni në rrugët shtetërore po zhvillohet normalisht, kryesisht në kushte rrugësh të thata, njofton Lidhja Auto-Moto e Maqedonisë (LAMM).
Intensiteti i trafikut në akset rrugore jashtë zonave urbane paraqitet mesatar, ndërsa në vendkalimet kufitare, nga ana e Maqedonisë, nuk raportohen pritje të gjata për hyrje apo dalje nga vendi.
Nga LAMM apelojnë për respektim të rregullave të trafikut, përshtatje të shpejtësisë sipas kushteve të rrugës dhe drejtim të kujdesshëm të automjeteve. Vëmendje e shtuar rekomandohet sidomos në segmentet rrugore që kalojnë nëpër lugina, përgjatë rrjedhave të lumenjve dhe në gryka, ku ekziston rreziku i rrëshqitjeve të dheut.
Kujdes i veçantë kërkohet në akset: Katllanovë–Veles, Mavrovë–Dibër–Strugë, Vinicë–Berovë dhe Koçan–Dellçevë.

