Lajçak: Nuk ka arsye për t’u frikësuar, Kurtit ia kam dorëzuar 15 modele evropiane për Asociacionin

Përfaqësuesi i Posaçëm të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, tha se kryeministrit Kurti i ka dhënë 15 modele evropiane për Asociacionin, të cilat modele nuk kanë çuar në mosfunksionim te shtetet.

Lajçak tha se është koha për të ndryshuar narrativën nga Kurti dhe se në vend se të thuhet se çka nuk duhet të jetë Asociacioni, të shihet si mundësi për të përmirësuar cilësinë në komunikim ndërmjet Qeverisë dhe serbëve të Kosovës.

“Unë e kuptoj se kjo është një çështje e ndjeshme, në Kosovë, për zotin Kurti. Por është koha ta ndryshojmë narrativën. Dhe në vend se të thuhet se çka nuk duhet të jetë asociacioni, të shihet si mundësi për të forcuar dhe përmirësuar cilësinë në komunikim ndërmjet qeverisë në Prishtinë dhe serbëve të Kosovës, dhe po ashtu të ketë transparencë në marrëdhëniet ndërmjet serbëve të Kosovës dhe Serbisë, në përputhje me normat ekzistuese, standardet dhe modelet evropiane. Nuk ka arsye aspak për t’u frikësuar, sepse siç e thashë unë ia kam dhënë kryeministrit Kurti 15 modele evropiane te të cilat mund të gjejë inspirimin”, tha Lajçak në një intervistë për “Context” në ATV.

Sipas tij, asnjë prej këtyre modeleve nuk ka çuar në mosfunksionim te shtetet që kanë implementuar këto modele, dhe asnjëra prej tyre nuk kanë të bëjnë asgjë me Republikën Sprska.

Lajçak, tha se në rast se nuk do të arrihet marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi, për palën apo palët penguese do të thotë se po e injorojnë faktin që ndërlidhet ngushtë me rrugëtimin e tyre evropian.

“Dhe në këtë mënyrë, kjo do të thotë se pala ose palët nuk janë të gatshme për normalizim, kjo do të thotë se ato injorojnë faktin se kjo ndërlidhet ngushtë me rrugëtimin e tyre evropian dhe më pas shtetet anëtare të BE-së do të arrinin në konkluzionet e tyre sepse vendimi për të reaguar në mënyrë negative është në duart e shteteve anëtare dhe Shteteve të Bashkuara, dhe jo të ndërmjetësve, por nuk dua të elaboroj në skenarin negativ”, tha Lajçak,.

Ai tha se duke pasur parasysh vëmendjen e lartë ndërkombëtare që ka marrë ky proces, një pengesë për arritjen e marrëveshjes do të përçonte një mesazh shumë negativ tek vendet që e kanë mbështetë këtë proces.

“Dhe, mosmarrëveshja mund të jetë pasojë e dy gjërave: së pari që ne kemi punuar shumë dhe frymë konstruktive por na nevojitet më shumë kohë dhe në këtë rast do të vazhdojmë të punojmë pa vonesa, ose nuk kemi arritur marrëveshje sepse njëra palë apo të dyja palët nuk kanë pasur vullnet për të arritur marrëveshje dhe po e pengonin procesin, dhe kjo do të përçonte një mesazh shumë negativ, sidomos kur merret parasysh vëmendja që ka marrë ky proces dhe mbështetja, që unë sinqerisht nuk e mbaj mend të ketë pasur mbështetje apo unitet të tillë për ndonjë proces ku unë kam qenë pjesë apo dëshmitar në karrierën time”, tha Lajçak.

Ai tha se shpreson se do të bëjnë progres të mirë në takimin e 18 marsit në Ohër.

 

MARKETING