Kurti në Berlin kërkon që Kosovës t’i jepet statusi i kandidatit për BE
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është duke marrë pjesë në Samitin e Procesit të Berlinit, i cili po mbahet në Berlin nën drejtimin e kancelarit gjerman Olaf Scholz.
Kurti ka shtuar se gjatë një dekade, Procesi i Berlinit ka luajtur rol kyç në afrimin e rajonit tonë dhe në avancimin drejt BE-së.
“Pavarësisht sfidave të brendshme dhe eksternale, Procesi i Berlinit mbetet një forcë nxitëse për integrimin evropian dhe lidhja që mban të lidhur Gjashtëshen e Ballkanit Perëndimor. Kjo është ajo që e njohim dhe e festojmë sot këtu në Berlin”, u shpreh Kurti.
Ai u shpreh se Kosova ka qenë dhe do të jetë një zë i arsyes dhe një mbështetje në këtë Proces.
“Pas dy muajsh do të shënojmë dy vjet prej kur Kosova ka aplikuar për anëtarësim në BE. Ndërsa ne deklarojmë se zgjerimi është përsëri në agjendë, ka ardhur koha që Kosova të marrë statusin zyrtar të kandidatit. Në 3.5 vjetët e fundit, kemi shënuar rritje të jashtëzakonshme ekonomike, progresin demokratik dhe qëndrueshmërinë institucionale, duke menaxhuar suksesshëm disa kërcënime serioze të sigurisë. Njohja e përparimit dhe të arriturave të Kosovës po ashtu afirmon përkushtimin e BE-së ndaj zgjerimit dhe vlerave të saj”, tha Kurti.