(VIDEO) Mickoski dhe Filipçe me interpretime të ndryshme për uljen e tvsh-së së naftës
Kryeministri Hristijan Mickoski pretendon se me uljen e mëhershme të akcizës së naftës dhe së fundi vendimi për uljen e TVSH-së, është parandaluar shtrenjtimi i karburanteve, përkatësisht, pa këto masa sipas kryeminsitrit, çmimi i naftës do të ishte rreth 11–11,5 denarë më i shtrenjtë për litër se sa është sot. Falë këtyre masave, ka shtuar ai, është rritur shitja e derivateve të naftës në pikat e karburantit, veçanërisht në ato që ndodhen afër pikave kufitare me Greqinë, Shqipërinë dhe Serbinë.
HRISTIJAN MICKOSKI, KRYEMINISTËR I RMV-SË
“Duke pasur parasysh se afërsisht 70 për qind është naftë, atëherë arrijmë në rreth 1.400.000–1.500.000 litra, që do të thotë se vetëm nga nafta, kursimi ditor për qytetarët maqedonas është më shumë se 250 mijë euro. Nëse merret parasysh një periudhë prej rreth dy javësh dhe nëse merret parasysh edhe ulja e mëparshme e doganës, përkatësisht akcizës për benzinën pa plumb me 95 dhe 98 oktanë, atëherë arrijmë në një shifër prej 4,2 deri në 4,5 milionë euro. Kjo është kursimi i drejtpërdrejtë që kanë qytetarët maqedonas, ndërsa kursimi indirekt reflektohet në normën e ulët të inflacionit”.
Por, për LSDM-së opozitare, masa e fundit e qeverisë është e vonuar dhe e pamjaftueshme. Lideri i LSDM-së, në konferencën e sotme për media, kërkoi që të shfuqizohet akciza, ndërkaq, TVSH-ja të ulet nga 18 në 5 %.
VENKO FILIPÇE, KRYETAR I LSDM-SË
“Nëse implementohet masat e qeverisë, ulja e pamjaftueshme e TVSH-së nga 18 në 10 përqind, atëherë një person me pagë mesatare neto do të mund të blejë 513 litra euro diesel, apo 535 litra eurosuper. Me masat e tona të propozuara, do të mund të blejë 621 litër eurodiesel, do të thotë 108 litra më shumë apo 740 litra eurosuper, përkatësisht 205 litra më shumë. Ndërkaq, një person me pagë minimale në vend që, me masat që i propozon qeveria, të mund të blejë 276 litra eurodiesel, të mund të blejë 334 litra diesel dhe në vend të 288 litra eurosuper 398 litra eurosuper”.
Qeveria, në seancën e së shtunës, solli vendim për uljen e TVSH-së nga 18% në 10%, me qëllim zbutjen e drejtpërdrejtë të goditjes së çmimeve ndaj qytetarëve dhe ekonomisë. Masa hyn në fuqi prej sonte pas mesnate.
Teuta Buçi /SHENJA/

