Kurti drekë pune me ministrin grek, e informon për pritjet e Kosovës nga takimi në Ohër

Kurti drekë pune me ministrin grek, e informon për pritjet e Kosovës nga takimi në Ohër

Ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Dendias po qëndron për vizitë në Kosovë.

Ai është pritur sot në takim nga presidentja Vjosa Osmani dhe pastaj nga kryeministri Albin Kurti, i cili ka shtruar edhe një drekë pune.

Zyra e Kryeministrit përmes një njoftimi për media bëri të ditur se gjatë takimit Kurti-Dendias, u diskutua për marrdhëniet ndërmjet dy vendeve dhe perspektivat për avancimin, themelimin dhe fuqizimin e tyre.
“Kryeministri Kurti i shprehu edhe një herë ngushëllime ministrit Dendias dhe popullit grek për jetët e humbura në aksidentit tragjik që ndodhi në Greqi në javën e parë të marsit.

Ata folën për zhvillimet e fundit në vend dhe rajon, për procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë dhe për propozimin evropian për Marrëveshje Bazë. Me këtë rast kryeministri Kurti e njoftoi ministrin Dendias për takimin e 27 shkurtit në Bruksel dhe pritjet e Kosovës nga takimi i 18 marsit në Ohër të Maqedonisë së Veriut”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq për mediat, Kurti ka potencuar se Greqia është mbështetëse e liberalizimit të Kosovës, e integrimit evropian dhe e normalizimit të plotë të marrëdhënive ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Diskutuam për marrdhëniet bilaterale Kosovë-Greqi, se si mund t’i përmirësojmë ato në të gjitha sferat, por njëkohsisht edhe për zhvillimet në rajon përfshirë këtu edhe dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që do ta ketë takimin e radhës të nivelit të lartë në Ohër të Maqedonisë së Veriut të shtunën e ardhshme. Greqia është një mbështetëse e liberalizimit të Kosovës, e integrimit evropian dhe gjithashtu e normalizimit të plotë të marrëdhënive ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Pra, ne gjithmonë mund të llogarisim në mbështetjen e Greqisë për familjen e madhe evropiane, e cila është garantuesja më e mirë për kontinentin tonë, si për paqe e siguri dhe poashtu edhe për demokraci dhe mirëqenie”, ka thënë Kurti.

Kjo është vizita e gjashtë e ministrit grek në Kosovë. /

MARKETING