Kryeparlamentari Gashi takohet me ambasadorin turk Ulusoj

Kryeparlamentari Gashi takohet me ambasadorin turk Ulusoj

Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, realizoi takim me ambasadorin turk, Fatih Ulusoj, gjatë të cilit bashkëbiseduesit ranë dakord që të dy vendet kultivojnë marrëdhënie të shkëlqyera miqësore dhe bashkëpunim.

“Kryetari Gashi falënderoi për mbështetjen e gjithanshme që Republika e Turqisë i ka dhënë vendit tonë që nga pavarësia e deri më tani. Për nivelin e bashkëpunimit të ndërsjellë dëshmon edhe intensiteti i takimeve në nivelin më të lartë. Vendet janë të lidhura me lidhje historike dhe kulturore, dhe qytetarët e komunitetit turk në vend janë urë lidhëse midis dy vendeve”, thuhet në komunikatën e kuvendit, ku sqarohet se në vendin tonë shënohet rregullisht 21 Dhjetori, Dita e Mësimit në Gjuhën Turke, në të cilën tradicionalisht merr pjesë edhe Kryetari i Kuvendit të Madh Nacional të Turqisë. “Grupet parlamentare për miqësi dhe bashkëpunim janë themeluar dhe funksionojnë me sukses në të dy parlamentet dhe ka bashkëpunim të frytshëm në kuadër të asambleve parlamentare ndërkombëtare. Në aspektin ekonomik, kulturor dhe arsimor, marrëdhëniet e ndërsjella janë në nivelin më të lartë. Republika e Turqisë është ndër partnerët tanë më të rëndësishëm tregtarë dhe vendi që vazhdimisht investon në ekonominë e Maqedonisë në sektorë të ndryshëm dhe paraqitet si partner strategjik investues”, informuan nga kuvendi.

Të dyja palët shprehën bindjen se bashkëpunimi i frytshëm në nivelin më të lartë parlamentar dhe shtetëror do të vazhdojë edhe në përbërjen aktuale parlamentare, me vizita të ndërsjella.

MARKETING