Kryeministri spanjoll Sanchez vlerëson “përafrimin” me Papën pas takimit në Vatikan
Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez vlerësoi atë që e përshkroi si një “përafrim të fortë” me Papa Leonin XIV pas një takimi në Vatikan, në prag të vizitës së planifikuar të Papës në Spanjë, transmeton Anadolu.
Sanchez, i cili është deklaruar publikisht si ateist, tha se qëndrimet e përbashkëta midis Spanjës dhe Vatikanit pasqyrojnë “një agjendë të arsyes së pastër”, përfshirë mbështetjen për diplomacinë në vend të luftës dhe një qasje “humaniste” ndaj migracionit dhe inteligjencës artificiale.
“Paqja nuk ndërtohet me raketa. Ajo ndërtohet me dialog dhe respekt”, tha Sanchez, duke vlerësuar angazhimin e papës për diplomaci “në këtë kohë të vështirë”.
Lideri socialist spanjoll kritikoi rritjen e shpenzimeve ushtarake globale ndërsa ndihma humanitare po bie, duke theksuar se Spanja ka rritur ndihmën ndërkombëtare me 13 për qind pavarësisht uljeve të përgjithshme.
“Spanja nuk mund të mbushë boshllëkun që të tjerët kanë lënë”, tha ai, duke e përshkruar rritjen si “absolutisht të pamjaftueshme”, por “në drejtimin e duhur”. Sanchez vlerësoi fokusin e Papës mbi inteligjencën artificiale dhe mirëpriti enciklikën e tij të parë për këtë temë.
“Asnjë teknologji nuk është neutrale”, tha ai. “Ne pajtohemi se na duhet një inteligjencë artificiale me qasje humaniste”, shtoi kryeministri spanjoll.
Në lidhje me migracionin, Sanchez tha se Spanja dhe Kisha Katolike ndajnë bindjen se “dinjiteti i njeriut është mbi gjithçka”. Papa pritet të vizitojë Spanjën nga 6 deri më 12 qershor, me ndalesa në Madrid, Barcelonë, Ishujt Kanarie dhe Katalonjë.
Sipas Sanchezit, vizita do të përfshijë një fjalim në parlamentin e Madridit, aktivitete të lidhura me migracionin në Ishujt Kanarie, një vizitë në burg në Katalonjë dhe një ceremoni në bazilikën Sagrada Familia në Barcelonë.
Sanchez gjithashtu përmendi bashkëpunimin pozitiv mes qeverisë spanjolle dhe Vatikanit në vitet e fundit, përfshirë marrëveshje për kompensimin e viktimave të abuzimeve nga kleri dhe rishikimin e kompleksit Valle de Cuelgamuros – monumenti ku dikur ndodheshin eshtrat e diktatorit Francisco Franco.
Kryeministri mbërriti me vonesë në konferencën për media për shkak të informimeve mbi një hetim në zgjerim për korrupsion që përfshin figura të lidhura me Partinë Socialiste. Ai hodhi poshtë thirrjet për zgjedhje të parakohshme dhe tha se qeveria do të bashkëpunojë me hetimet në vazhdim.

