Kryeministri izraelit premton përgjigje “shumë më të ashpër” ndaj çdo sulmi të ardhshëm Iranian
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka premtuar një përgjigje “shumë më të ashpër” ndaj çdo sulmi të ardhshëm nga Irani, pas përshkallëzimit të shkurtër mes dy palëve, transmeton Anadolu.
Në një video mesazh, Netanyahu pretendoi se Irani dhe Hezbollahu kishin synuar të impononin atë që ai e përshkroi si një “ekuacion të ri dhe të papranueshëm” përmes sulmeve kundër Izraelit.
“Ata menduan se mund të qëllonin Izraelin nga Libani dhe Irani dhe se ne nuk do të vepronim. Kjo nuk ndodhi dhe nuk do të ndodhë për sa kohë që unë jam në detyrë”, tha Netanyahu.
Ai pretendoi se Izraeli i ka Iranin dhe Hezbollahun nën presion dhe paralajmëroi se çdo sulm i ri do të përballet me një përgjigje “shumë më të ashpër”.
Deklaratat e tij erdhën pasi mediat izraelite raportuan se Netanyahu kishte rënë dakord, me kërkesë të presidentit amerikan Donald Trump, të ndalonte sulmet ndaj Iranit, ndërsa do të vazhdonte operacionet ushtarake në Liban.
Tensionet u përshkallëzuan të dielën kur Izraeli kreu një sulm ajror ndaj kryeqytetit libanez Bejrut, duke pretenduar se kishte në shënjestër një qendër komanduese dhe planifikimi të Hezbollahut.
Zyrtarët iranianë e dënuan sulmin dhe nisën tri valë sulmesh me raketa, të cilat aktivizuan sirenat e alarmit ajror në të gjithë veriun e Izraelit.
Ushtria izraelite tha se më pas kreu sulme në pjesët perëndimore dhe qendrore të Iranit, ndërsa Teherani u kundërpërgjigj me lëshime të tjera raketash.
Më vonë, Shtabi Qendror Khatam al-Anbiya i Iranit njoftoi ndërprerjen e operacioneve ushtarake kundër Izraelit, duke paralajmëruar se çdo vazhdim i sulmeve izraelite ndaj Libanit do të shkaktojë një përgjigje më të fortë.

